Ka përfunduar intervistimi i pesë kandidatëve për rektor të Universitetit të Prishtinës. Secili nga kandidatët për mandat dy-vjeçar, kanë prezantuar planin e tyre prej 20 minutash, ku më pas anëtarët e këshillit drejtues kanë vijuar me pyetjet edhe për 20 minuta të tjerë. Ndryshimi i statutit, rishikimi i kodit etik, modernizimi i UP-së dhe zgjidhja e çështjes së doktoraturës, kanë qenë disa nga prioritetet e kandidatëve për rektor. Pas intervistimit, në orën 14:30 fillon procesi i votimit për zgjedhjen e rektorit.
Puna e parë e kandidatit të parë të intervistuar, But Dedaj, deklaroi se do të jetë stabizilimi i gjendjes së Universitetit të Prishtinës.
Ndërkaq, Ermir Rogova ka nisur prezantimin me thënien e Naim Frashërit "Dhe dritë e diturisë përpara do na shtjerrë".
Ai ka prezantuar para anëtarëve të këshillit drejtues, planin dhe vizionet e tij në rast se merr pozitën e rektorit të UP-së.
Kandidati për rektor të UP-së, Ilir Tolaj në prezantimin e tij 20 minutësh ka deklaruar se duhet të rishikohet kodi etik dhe Universiteti i Prishtinës të ketë kritere të veta për plagjiarizëm.
"Tema kryesore e çdo programi do të jetë plagjiarizmi. Ka nevojë te rishikohet kodi etik. UP duhet të ketë kritere të veta për këtë kategori. Përcaktimi i kritereve për plagjiarizëm nga ekspertët e UP-së, e jo nga OJQ e palë tjera joprofesionale. Në mënyrë që të arrijmë atë që synojmë duhet të digjitalizojmë procedurat", tha ai.
"Krijimi i një grupi punues për rishikimin dhe hartimin e një statuti të ri në mënyrë urgjente. Ka nevojë që të ri-konceptohen përbëria përgjegjësitë e zëvendësrektorit të UP-së... Duhet që ata që shërbejnë në krye të përgjegjësive për menaxhimin e UP-së, duhet të kenë përgjegjësi të ndryshueshme dhe në pajtim me programin dhe në atë çfarë janë nevojat tona dhe cilat janë sfidat tona. Unë propozoj që të ketë një zëvendësrektor për çështje të personelit akademik, të integritetit akademik, një që do të ndihet në mënyrë të drejtpërdrejtë me çështjet e etikave që janë të lidhura me programin që kanë të bëjnë me procesin e zgjedhjeve se rekrutimit, të zhvillimit të anëtarëve të personelit akademik", u shpreh ai.
Para anëtarëve të këshillit drejtues, kandidati Sefer Avdiaj ka përmendur dy prioritetet në rast se merr mandatin dy vjeçar të rektorit.
Zgjedhja e rektorit të ri, vjen pas shkarkimit të ish-rektorit Naser Sahiti nga Këshilli Drejtues.