Kanë përfunduar kundërpyetjet e mbrojtjes për dëshmitarin, Steven Russell, në procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Në seancën e sotme ka vijuar dëgjimi i dëshmitarit, i cili është shoqëruar nga përfaqësues të qeverisë amerikane. Pas marrjes në pyetje nga mbrojtja e Thaçit dhe Veselit dje, në seancën e sotme ky dëshmitar është marrë në pyetje nga mbrojtja e Selimit, Krasniqit dhe nga trupi gjykues. Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi kanë qenë të pranishëm në sallën e gjyqit, ndërkaq Jakup Krasniqi e ka ndjekur seancën përmes video-lidhjes.
Avokati i Rexhep Selimit, Eric Tully ka insistuar në pyetjet për dëshmitarin e ZPS-së lidhur me kartat identifikuese të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe nëse kanë pasur kontakt me Ministrinë e Rendit Publik.
Russell: Sikur po ju thoja, udhëzimet tona ishin këto: kartelat që nuk janë nga IOM-i apo nga komisioni për zbatimin e përbashkët apo Kombet e Bashkuara, duheshin sekuestruar. Nëse kishin lidhje me UÇK-në, qoftë kjo nga ministritë apo funksionet civile, ne e kishim për udhëzim, kishim direktivë që t’i sekuestronim, t’i merrnim këto.
Tully: Pyetja ime ishte kjo, ju nuk keni qenë në kontakt me këtë ministri për të komunikuar me ta e për t’i pyetur kush kishte kartela të tilla identifikimi. Ju kishit vetëm për detyrë që t’i merrnit këto kartela?Tully: Ju po përgjigjeni me jo, ju nuk ishit kontakt me këtë ministri?
Russell: Nga perspektiva jonë ne kishim urdhra. Sipas marrëveshjes nuk ekzistonin institucione legjitime sepse atëherë ishte mandati i OKB-së ta kryente këtë detyrë.
Gjatë dëshmisë së tij dje, Russellit i është prezantuar një kartë, ku u tha se në të shkruhet “Ministria e Rendit Publik-letërnjoftim zyrtar”. Ish-ushtaraku amerikan tha se kanë sekuestruar shumë dokumente e kompjuterë.
Russell u pyet edhe lidhur me bastisjet që kanë kryer në fjetore dhe protestën e shqiptarëve rreth portës.
Tully: Bastisja që kryet ju në fjetore, nuk ishte e fshehtë kjo është e qartë.
Tully: E morën vesh edhe banorët e zonës dhe u mblodhën me qindra njerëz jashtë portës dhe krijuan një far prishje të rendit aty.
Russell: Nëse po thoni që ne deshëm të bënim teatër aty, atëherë kjo është një parashtrim i pasaktë. Ne deshëm që kjo bastisje të kryhet sa më shpejt, por kjo zgjati shumë sepse duheshin bërë fotografi dhe këto fotografi duhet të ju tregonim një prej viktimave të pretenduara. Pra, ne menduam se do të kishim përfunduar bastisjen brenda dy orësh, nuk kishim për synim të qëndronim, nuk kishim për synim të prishnim rendin publik në Gjilan atë ditë. Ne deshëm të hyjmë në fjetore dhe të largoheshim”, tha dëshmitari i ZPS-së.
Dëshmitari Steven Russell u pyet nga gjyqtari, Ginel Metro, nëse ushtarët e UÇK-së kanë pasur mundësi të raportojnë për ngjarjet që kishin ndodhur para KFOR-i të jetë në terren.
Në gjashtë muajt e parë, siç shtoi ai, misioni i KFOR-it përpiqej që të mos digjeshin pronat edhe të mos vriteshin njerëzit.Lajmi i plotë në sistemin me parapagim...