Përfshirja e të miturve në krime, psikologët flasin për shkaqet dhe pasojat
Lexohet për: 5 min.
qendra
1 vit më parë
Linku u kopjua

Pothuajse çdo ditë në raportet e Policisë së Kosovës, bëhet e ditur se të miturit janë të përfshirë në vepra të ndryshe penale. Ata marrin pjesë në rraje, përdorim dhe bartje të armëve të ndryshime, vjedhje, plaçkitje, konsumim dhe shitje të substancave narkotike, shantazhe dhe ngacmime seksuale.

Kur është fjalë te kjo e fundit, vetëm brenda më pak se tre muaj të këtij viti, numri i të miturve të përfshirë në ngacmime seksuale ka shënuar rritje, krahasuar me vitin e kaluar. Sipas statistikave të Policisë së Kosovës, pesë të mitur janë përfshirë në ngacmime seksuale, derisa në vitin 2022 kanë qenë katër raste të tilla.

Kurse, shtatë të tjerë janë përfshirë në pjesëmarrje në rrahje gjatë më pak se tre muaj të këtij viti.

Mungesa e dashurisë nga prindërit, kushtet e rënda ekonomike, filmat dhe këngët me përmbajtje jo adekuate, janë vetëm disa nga faktorët që një numër i të miturve në Kosovë, po zgjedhin rrugën drejtë krimit.

Kështu ka thënë për KosovaPress psikologu, Krist Halilaj, i cili ka thënë se ekzistojnë grupacione kriminale të cilët i nxisin dhe i ofrojnë në rrethin e tyre të miturit. Ai shton se edhe mungesa e kujdesit nga prindërit i shtyn fëmijët të përfshihen në krime.

“Dinamikat e jetës në ditët e sotme kanë shkaktuar një pakujdesi gjatë edukimit të fëmijëve dhe kjo pakujdesi transmetohet me një mungesë dashurie tek fëmijët. Fëmijët e miturit në këto momente, kanë nevojë ta marrin këtë dashuri nëpër grupacione të ndryshme. Ekziston edhe varfëria dhe kushtet e rënda ekonomike, të cilat janë predispozues që fëmijët të marrin pjesë në krime... Jetojmë në një botë ku materializmi na ka kamufluar dhe shpesh herë harrojmë veprimet sociale dhe familjare së bashku, kështuqë nuk është e nevojshme që fëmijëve vetëm t’iu jepet para dhe një afrimitet social apo emocional mes vete... Është e vërtetë që ekzistojnë grupacione kriminale, të cilët i nxisin dhe i ofrojnë në rrethin e tyre, pastaj i ndikojnë që të bëjnë vepra kriminale”, u shpreh ai.

Halilaj po ashtu tha se filmat dhe tekstet e këngëve, me përmbajtje jo adekuate, nxisin të miturit që të përfshihen në vepra kriminale.

“Në ditët e sotme ekzistojnë shumë këngë ose filma të cilët nxisin veprat kriminale dhe veprat e ndaluara që janë vepra jonormale zakonisht, përdorimi i drogave. Zakonisht hasim në tekste si mariuana, kokaina të cilat transmetohen si rutina të përditshme apo normale, të cilat nuk duhet me qenë normale dhe nuk duhet të shfaqen si normale”, theksoi Halilaj.

E sociologu Jeton Brajshori, thotë se bashkëbisedimi në mes fëmijës dhe prindit, është i nevojshëm. Ai shton se ka raste kur ankesat e fëmijëve të mos merren seriozisht nga prindërit dhe si pasojë fëmijët janë të destinuar të bëjnë krime. Derisa thotë se shpesh të miturit bëjnë veprime, që të mos duken keq para shoqërisë.

“Baza e çdo gjëje është familja. Në qoftë se kemi komunikim të mirë mes fëmijëve dhe prindërve në familje, atëherë fëmijët janë më pak të prirur që të kryejnë krime, për arsye se bashkëbisedimi me prindër i bën ata më të lirë dhe për çdo problem që e kanë ata mund që të diskutojnë me ata.... Në momentin kur në familje ka dhunë familjare, ka moskomunikim dhe shpesh ndodhë që prindërit fëmijët mos t’i marrin seriozisht me ankesat e tyre, atëherë dhe këta janë më të destinuar që të bëjnë krime... Shpesh dhe shoqëria na shtyn të bëjmë krime për shkak që dukemi se po dalim keq para shoqërisë edhe në qoftëse nuk jemi të prirur ta bëjmë atë krim, e bëjmë për t’i kënaqur shoqërinë”, theksoi ai.

Sipas Brajshorit, një pjesë e madhe e të miturve që përfshihen në krime, janë të gjinisë mashkullore. Ai thotë se kjo shoqërohet me fazën e pubertetit, pasi mundohen të duken “IN” para shoqërisë, duke prezantuar diçka të re tek ata.

Brajshori shton se në mënyrë që të reduktohet numri i të miturve në përfshirjen në krime, duhet të punohet me ata së bashku me sociologë e psikologë, si dhe të mos mungojnë trajnimet nga persona kompetentë.

Sipas statistikave të Policisë së Kosovës, përgjatë vitit 2022, janë përfshirë 20 të mitur në pjesëmarrje për rrahje.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2025