Për herë të parë në Kosovë një pacient 79 vjeçar i është nënshtruar një ndërhyrje në zemër me metodën e implantimit të Valvules Aortale Transkateterike e njohur si TAVI. Kjo ndërhyrje është kryer në Spitalin Amerikan në Prishtinë nga kardiologu i njohur shqiptar, Florim Cuculi.
Ndërhyrja TAVI është një ndërhyrje ku aorta arrihet përmes arteries që ndodhet në rrëzë të kofshës ose nga një tjetër enë gjaku në trup pa kryer ndonjë prerje dhe në këtë mënyrë kjo pasohet nga anulimi i valvulës së vjetër dhe implantimi i një valvule të re brenda saj.
Cuculi tregoi se gjendja shëndetësore e pacientit është shumë e mirë.
“Sot në Spitalin Amerikan bashkë më ekipin time e bëmë këtë procedurë u zëvendësua valvula aortike tek pacienti 79 vjeçar, intervenimi kaloi shumë mirë natyrisht që emocionet kanë qenë shumë të larta sepse është hera e parë që bëhet diçka e këtillë në këtë institucion dhe vend. …Faleminderit pacientit dhe familjes që na besoi këtë intervenim dhe Spitalit Amerikan që na mundësoi këtë intervenim”, u shpreh Cuculi.
“Bëhet fjalë për ndërhyrjen e zëvendësimit të valvules aortike dhe katedër që quhet metoda TAVI, është hera e parë në Kosovë ku e kemi bërë këtë intervenim. Valvula aortike është valvula që degjeneron sidomos në moshën e vjetër dhe numri i pacientëve shtohet me moshën e pacientit. Derisa tani terapia terapia standard është zëvendësimi me operacion, me kirurgji të hapur, kurse zëvendësimi i valvulës aortike pa kirurgji të hapur me katedër nuk është bërë deri tani në Kosovë”, tha ai.
Metoda TAVI kryesisht kryhet tek pacientët mbi 75 vjeçar, kurse kardiologu shqiptar, Florim Cuculi u shpreh se një intervenim i tillë ka shumë avantazhe që pacienti ta kalojë më lehtë ndërhyrjen, dhe nuk kërkon rehabilim të gjatë.
Kardiologu, Florim Cuculi u shpreh se synon edukimin edhe të kolegëve të tij për këtë metodë të moderne të intervenimeve në valvulën aortale.
“Qëllimi nuk është që unë të jem i pazëvendësueshëm, por qëllimi është që të bëhem i zëvendësueshëm që t’i stimuloj kolegët lokal këtu në Kosovë që këto punë t’i kryejnë vetë me ndihmën time dhe të tjerëve që kjo punë te shkoj përpara edhe pa praninë time”, deklaroi ky kardiolog.
Kardiologu, Luan Përçuku u shpreh se metoda TAVI është hap i madh për shëndetësinë dhe pacientët në Kosovë.
Përçuku shpreson që ndërhyrjet e tilla të vazhdojnë tutje në Spitalin Amerikan.
E departamenti i Kardiologjisë në Spitalin Amerikan ka eksperiencë të gjatë në trajtimin e patologjive kardiake.
Krahas, intervenimit TAVI i cili u bë për herë të parë në Kosovë, në këtë spital për herë të parë janë kryer edhe ndërhyrjet endovaskulare në aortë, TEVAR dhe EVAR.