Kryeministri Albin Kurti ka pritur sot në takim presidentin e Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, me të cilin ka biseduar mbi marrëdhëniet bilaterale, zhvillimet në rajon, dialogun e ndërmjetësuar nga BE dhe situatën e sigurisë pas sulmit terrorist dhe paramilitar të para katër muajve në Banjskë të Zveçanit.
Kurti e falënderoi presidentin Pendarovski dhe Maqedoninë e Veriut për mbështetjen ndaj Kosovës në çështje të ndryshme me interes të përbashkët, veçanërisht në rrafshin ndërkombëtar përmes përkrahjes në anëtarësimin në organizata ndërkombëtare.
“Dy vendet dhe shtetet tona i dëshirojnë më të mirën njëra-tjetrës dhe kanë komunikim dhe bashkëpunim të mirë si në aspekt institucional ashtu edhe në nivel të shoqërive tona”, u shpreh kryeministri Kurti.
Po ashtu, u diskutuan zhvillimet në rajon, procesi i dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian dhe situata e sigurisë pas sulmit në Banjskë. Me këtë rast, Kurti falënderoi Pendarovskin për vendimin e Maqedonisë së Veriut për shtimin e kontingjentit të trupave të saj në kuadër të KFOR-it.
Ndërsa, presidenti Pendarovski tha se Kosova dhe Maqedonia e Veriut përveç marrëdhënieve shumë të mira, kanë edhe të njëjta qëllime strategjike, dhe se ajo është e gatshme që të ndajë me Kosovën përvojat sa i përket integrimit evropian dhe anëtarësimin në NATO.