PDK vendos një thes të zi “me gënjeshtrat e Albin Kurtit” para Qeverisë
Lajme
Lexohet për: 3 min.
Dëgjoje me zë...
PDK vendos një thes të zi “me gënjeshtrat e Albin Kurtit” para Qeverisë
51208412-41c7-4649-9c1f-c965d75eed33
16/03/2026 - 15:37
Linku u kopjua

Një thes të zi, siç thanë me “gënjeshtrat e Albin Kurtit”, rinia e Partisë Demokratike të Kosovës e vendosi para objektit të Qeverisë së Kosovës.

Partia opozitare vazhdoi kritikat ndaj kryeministrit Albin Kurti, siç thanë, për legalizimin e dokumenteve të Serbisë, pas kompromisit në lidhje me zbatimin e Ligjit për të huajt dhe atij për automjete.

Para se të zbrazin një thes me lajme të deklaratave të kryeministrit Albin Kurti ndër vite, duke u mburrur se në Kosovë nuk ka më struktura paralele të Serbisë, kryetarja e rinisë së kësaj partie, njëherit deputetja, Arbnora Salihu, tha se thesi i zi shpërfaq qasjen manipulative të Kurtit në emër të patriotizmit, ndërkaq veprimet e tij janë në dëm të interesit shtetëror.

“E kemi mbushur këtë thes me disa gënjeshtrat e Albin Kurtit, i cili deklaronte se i ka çrrënjosur strukturat paralele në pjesën veriore të vendit. Ky thes e shpërfaq qasjen e tij manipulative me fjalë të mëdha në emër të patriotizmit dhe me vepra në dëm të interesit shtetëror. Për vite me radhë Albin Kurti ka ndërtuar një narrativë të rreme. Ky aksion është një mesazh i qartë se e vërteta nuk mund të mbulohet me propaganda dhe dështimi nuk mund të fshihet pas fjalëve boshe dhe të pakuptimta”, tha ajo.

Sipas saj, vendimi i Kurtit për legalizimin e përdorimit të dokumenteve të Serbisë nga personat që nuk i posedojnë ato të Kosovës është dorëzim përballë bandave kriminale dhe legalizim i strukturave që për dekada kanë minuar shtetin e Kosovës.

Madje, siç tha ajo, ky vendim i kryeministrit Kurti është tradhti ndaj shtetit dhe qytetarëve. Deputetja e PDK-së përmendi edhe mosgjetjen e konsensusit për zgjedhjen e presidentit, derisa shtoi se Kurti arriti, siç tha, gjuhë të përbashkët me strukturat paralele dhe Serbinë.

“Ky vendim i Albin Kurtit është tradhti ndaj shtetit dhe qytetarëve”, shtoi deputetja Salihu.

Kosova dhe BE arrijnë pajtim për ligjin për të huajt me disa masa lehtësuese për serbët më 14 mars. Aty Kosova u pajtua që t’u lëshojë leje qëndrimi 12-mujore studentëve serbë që nuk kanë dokumente të Kosovës dhe t’i pranojë dokumentet e identifikimit të lëshuara edhe nga strukturat ilegale, edhe për tre muaj./E.Zeqiri/


/Kosovapress/
Lajmi i plotë ëshë në sistemin me parapagim. Abonohu për ti shfryëzuar shërbimet KosovaPress-it.
Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2026