PDK bojkoton adresimin vjetor të presidentes në Kuvend
Lajme
Lexohet për: 4 min.
PDK refuzon seancën e thirrur nga presidentja
1 muaj më parë
Linku u kopjua

Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës, refuzon edhe këtë vit pjesëmarrjen në seancën e thirrur për adresimin vjetor të presidentes Vjosa Osmani, ngase sipas tyre e njëjta ka vazhduar të sillet me mospërmbushje shqetësuese të rolit dhe funksionit të saj kushtetues.

“Znj. Osmani si presidente duke qenë njëkohësisht edhe udhëheqëse e politikës së jashtme ka dështuar përfundimisht në realizimin e ndonjë suksesi të vetëm në përfaqësimin dhe bashkëpunimin ndërkombëtar të Kosovës. Si presidente, nuk ka arritur që Kosovës t’i siguroj qoftë edhe një njohje të vetme, siç ka dështuar në fushën e antarësimit të vendit në ndonjë organizatë ndërkombëtare. Për më tepër, si presidente ka vazhduar të qëndroj e heshtur ndaj masave dhe sanksioneve që BE i ka vënë Kosovës si rezultat i çasjes destruktive të qeverisë dhe në asnjë rast të vetëm nuk është sjellur dhe nuk ka vepruar si kundër-balancuese e politikave të gabuara të qeverisë të cilat vendin e kanë ekspozuar përballë izolimit ndërkombëtar”, thuhet në njoftim.

Osmani sipas PDK-së edhe në vitin e katërt të mandatit të saj, ka vazhduar të sillet në shpërputhje të plotë me rolin e saj kushtetues për të përfaqësuar unitetin e popullit duke demonstruar njëanëshmëri ndaj Albin Kurtit.

“Ndërkaq, edhe si Komandante Supreme e Forcës së Sigurisë së Kosovës ka heshtur përballë skandalit të pashembullt të dështimit të sigurimit të ushqimit për ushtrinë tonë. Nga ana tjetër, ka vazhduar të hesht edhe përballë aferave të vazhdueshme korruptive të qeverisë, siç nuk e ka marrë asnjë edhe një masë për shkarkimin e protagonistit të aferës së energjisë, ambasadorit Martin Berishaj, vendimi për emërimin e të cilit e mban vulën e saj. Për më keq, ka vazhduar ta mbroj ambasadorin Berishaj dhe çdo skandal tjetër që ka ndodhur gjatë këtij viti. Edhe këtë vit, jo vetëm që i ka mbyllur sytë përballë skandaleve dhe aferave korruptive të kësaj qeverie, por i është bashkuar fushatës qeveritare për të sulmuar institucionet e pavarura të drejtësisë dhe në rastin më të keq ka vazhduar shkeljen e saj kushtetuese për mosdekretimin e Kryeprokurorit të Shtetit”, thuhet në njoftim.

Tutje PDK thotë se presidentja praktikisht në vend se të mbështeste në mënyrë institucionale pavarësinë dhe integritetin e institucioneve të drejtësisë, ajo ka penguar punën e tyre, duke penguar kështu edhe luftën kundër korrupsionit dhe dukurive negative.

“Tashmë kur janë mbushur gati katër vite të mandatit të saj si presidente, ajo ka dështuar për të lënë një gjurmë të vetme të suksesshme për Kosovën, ndërsa roli i saj tërësisht i pavërejtshëm është kthyer në një faktor të dëmshëm për shtetin e Kosovës dhe qytetarët e saj. Fatkeqësisht, kontributi i vetëm i saj në këto katër vite është zbehja e rolit dhe rëndësisë së institucionit të Presidentit si dhe promovimi i gjuhës polarizuese dhe përçarëse në skenën politike. Një presidente e tillë e cila e redukton pozitën e Institucionit të Presidentit si një mekanizëm për akomodimin e interesave familjare dhe partiake nuk e meriton respektin e Grupit Parlamentar të PDK-së”, thuhet në njoftim.

https://kosovapress.com/osmani-u-adresohet-sot-deputeteve-ne-kuvend

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024