Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka takuar kryesinë dhe grupin parlamentar të kësaj partie, për të diskutuar zhvillimet e fundit politike në vend.
Sipas tij, qeveria në krye me Albin Kurtin nuk ka më kredibilitet dhe sipas tyre zgjidhja e vetme është mbajtja e zgjedhje të të përgjithshme sa më parë.
Sipas PDK-së, kriza politike ka ardhur si pasojë e veprimeve të papërgjegjshme dhe të fshehta të Qeverisë së Kosovës.
“Prishja e raporteve më miqtë ndërkombëtarë, vendosja e sanksioneve ndaj Kosovës, bashkëpunimi me kriminelin Millan Radojçiq dhe Listën Serbe, takimet dhe vendimet e fshehta në dëm të interesit nacional – janë disa prej shkaktarëve të cilat kanë bërë që kjo Qeveri ta humbas tërësisht kredibilitetin e saj”, është shkruar në komunikatë.
“Pse lëshoi pe Qeveria dhe pranoi të tërhiqet nga pjesa veriore, pas disa muajve të tensionit dhe detyrimit të aleatëve tanë që t’i vënë sanksione Kosovës? Pse u liruan kriminelët serbë të arrestuar për sulmet ndaj gazetarëve dhe KFOR-it? Për të gjitha këto veprime dhe takimet e fshehura dhe të paparalajmëruara të zyrtarëve të Qeverisë së Kosovës me ata të Serbisë dhe të Bashkimit Evropian – PDK kërkon transparencë dhe llogaridhënie të plotë”, është theksuar në komunikatë.