Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka reaguar pas mos kalimit të projektligjit për mundësimin e tërheqjes të 30 për qind të mjeteve të qytetarëve nga Trusti, duke thënë se deputetët e pushtetit aktual dëshmuan nuk janë i shërbejnë popullit, por kryeministrit Albin Kurti.
Në një komunikatë për media thuhet se deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje sot nuk i dëgjuan kërkesat dhe nevojat e qytetarëve të Kosovës, të cilët po përballen me krizën e thellë ekonomike dhe rritjen enorme të çmimeve të produkteve esenciale për jetesë.
Partia Demokratike e Kosovës shpreh zhgënjimin e thellë që ligji i diskutuar sot e i mbështetur nga shumica dërmuese e qytetarëve të Kosovës u rrëzua nga pushteti aktual, duke pamundësuar kështu sadopak lehtësimin e ballafaqimit të qytetarëve me krizën sociale dhe ekonomike.
“Rritja e çmimeve që ka shkaktuar kriza, bashkë me rritjen e çmimeve që qytetarëve ua ka imponuar qeveria, siç ishte rasti me ngritjen e çmimit të energjisë elektrike, e kanë bërë jetën në Kosovë vështirë të përballueshme. Prandaj, shumë qytetarë të vendit që deri dje kërkonin vende pune, sot po kërkojnë viza për të ikur nga Kosova”, thuhet tutje në komunikatë.