Partia Demokratike e Kosovës ka ndërmarrë nismën për shkarkimin e Bordit të RTK-së në Kuvendin e Kosovës dhe se grupi parlamentar i kësaj partie tashmë ka nisur mbledhjen e nënshkrimeve.
Sekretarja e Përgjithshme e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku në një konferencë për media tha se mocioni për shkarkimin e bordit do të dorëzohet në fillim të javës së ardhshme.
Sipas saj, lajmet e rreme të RTK-së, të cilat citonin një medium boshnjak, artikulli i të cilës sipas saj, ka mundur të shkruhet edhe në zyrat e Lëvizjet Vetëvendosje, përbën cenim direkt të sigurisë dhe jetës së gazetarëve, teksa ka kërkuar edhe hetime nga Prokuroria Speciale ndaj AKI-së.
“Për më tepër, vlerësojmë se përfshirja e zyrtarëve të AKI-së ashtu siç po raportohet duhet të hetohet nga Prokuroria Speciale sa më parë, në mënyrë që të ndriçohet e vërteta. Nëse kjo vërtetohet, do të përbënte një shkelje flagrante nga AKI dhe tejkalim të mandatit kushtetues dhe ligjor”, ka thënë Çitaku.