Insistimi i Qeverisë së Kosovës që vetëmenaxhimi i komunitetit serb të bëhet sipas modelit kroat sipas Partisë Demokratike të Kosovës është çështje që kërkon diskutim, sidomos pas deklarimeve të palës evropiane që draft-statutin e prezantuar nga ish-Ekipi Menaxhues e shohin si bazë për krijimin e Asociacionit.
Deputetja Blerta Deliu-Kodra gjatë një interviste për KosovaPress deklaron se çështja e Asociacionit sipas modelit kroat duhet të diskutohet sepse siç thotë, ato sapo janë hapur. Ajo thotë se se nuk e di se si do të përmblidhet formati i diskutimeve për këtë model apo për propozime të tjera.
Deliu-Kodra në një intervistë për KosovaPress shkarkimin e Ekipit Menaxhues për hartimin e draft-statutit të Asociacionit e sheh si përpjekje për të fajësuar qeveritë e kaluara.
Se a do të ketë së shpejti dakordim për Asociacioni, sipas deputetes së PDK-së, mbetet të shihet nga angazhimi i qeverisë Kurti.
Gjatë kësaj jave në Kosovë kanë qëndruar delegacione ndërkombëtare, të cilat janë takuar me krerët shtetëror. Të enjten në Kosovë për vizitë ka qëndruar përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialog, Miroslav Lajçak, ndërsa po ashtu vendin e ka vizituar edhe Administratorja e Agjencisë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), Samantha Power, e cila si urgjencë ka theksuar nevojën për krijimin e Asociacionit, ndërsa ka ritheksuar pozicionin e ShBA-ve që procesi i normalizimit duhet të përfundojë me njohje reciproke.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka paraqitur draft-vizionin e Asociacionit gjatë takimit që ka zhvilluar me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, më 2 maj në Bruksel.