PDK i kundërpërgjigjet Kurtit: Ai po mallkon të kaluarën në mungesë të platformës për qytetarët
Zgjedhjet 2025
Lexohet për: 2 min.
5 orë më parë
Linku u kopjua
Zëdhënësi i Partisë Demokratike të Kosovës, Blerand Stavileci i është kundërpërgjigjur kryeministrit Albin Kurti, në lidhje me gjuhën e ashpër të tij ndaj opozitës. Një ditë pasi Kurti në një tubim në Mitrovicë i quajti “zuzar” opozitarët, Stavileci tha se Kurti në mungesë të platformës konkrete për qytetarët po mallkon të kaluarën.
Ai në një konferencë për media të hënën, tha se gjuha e ashpër e Kurtit ndaj partive të tjera është si rezultat edhe dështimeve të shumta gjatë mandatit katërvjeçar.
“Në mungesë të platformave konkrete për qytetarët, pastaj me dështimet e shumta që kanë ndodhur gjatë kësaj kohe. Në një kohë kur qytetarët vuajnë nga mungesa e energjisë nga një arsimim i dobët dhe shumë sfera të tjera që kemi ngecur, kryeministri merret me të kaluarën. Mirëpo kjo nuk është për t’u çuditur sepse ju po e shihni se të njëjtën gjë po e bënë me mediat dhe debatet. Nëse s’ke çfarë për t’iu thënë qytetarëve tuaj që i keni premtuar shumë atëherë ke vetëm një zgjidhje për të ikur apo siç e ka stilin për të mallkuar të kaluarën”, tha ai.
Krahas kësaj, pas nisjes së fushatës zgjedhore, Stavileci tha se dy tubimet e PDK-së në Prishtinë dhe Ferizaj treguan se Kosova është gati për një të ardhme më të mirë.