Rreth 150 vullnetarë iu bashkuan aksionit, ndërsa 15–20 persona të specializuar punuan në pjesët më të thella të liqenit, me mbështetjen e FSK-së, zjarrfikësve, peshkatarëve, Kompanisë rajoanle të ujësjellësit Prishtina dhe Trafikut Urban, duke larguar mbeturina nga kjo zonë gjatë ditës.
Organizatori kryesor, Luan Hasanaj, tha se përgatitjet për këtë aksion kanë nisur prej më shumë se një muaji dhe kanë përfshirë edhe aktivitete të mëhershme në pjesë të tjera të liqenit.
Ai tha se realizimi i aksionit është bërë i mundur falë mbështetjes së institucioneve të ndryshme. Shtoi se Forca e Sigurisë së Kosovës ka ndihmuar me staf dhe pajisje, ndërsa kontribut të rëndësishëm kanë dhënë edhe zjarrfikësit, peshkatarët dhe punëtorët e Ujësjellësit Prishtina. Ai tha se edhe Trafiku Urban ka ndihmuar në transportin e vullnetarëve, duke lehtësuar organizimin e përgjithshëm.
“A keni mbështetje institucionale apo është krejt iniciativa juaj? Sigurisht që ka qenë e pamundur që ky aktivitet të bëhet pa mbështetjen e madhe të Forcës së Sigurisë së Kosovës, të cilët kanë ardhur sot edhe me personel, por edhe me varkat e tyre. Po ashtu edhe zjarrfikësit, të cilët jashtëzakonisht kanë ndihmuar shumë. Kanë ndihmuar peshkatarët, punëtorët e KRU Prishtinës, të cilët kanë qenë pothuajse gjatë tërë ditës të angazhuar, mandej edhe Trafiku Urban i cili e ka bërë transportin e vullnetarëve deri këtu”, tha Hasanaj.
“Çfarë masa mendoni që duhen të merren urgjentisht për të parandaluar ndotjen? Mendoj që është pyetja më e rëndësishme që duhet bërë, sepse kjo nuk është zgjidhja,kjo që po e bëjmë sot është një aksion i cili do ta pastrojë sot këtë hapësirë, mirëpo jemi të bindur në bazë të përvojës në të kaluarën që mbeturinat e tilla do të rikthehen.Andaj është e domosdoshme që institucionet përgjegjëse, qoftë KRU Prishtina, qoftë Ministria e Mjedisit me Komunën e Prishtinës, duhet me patjetër ta gjejnë një zgjidhje për parandalimin e ndotjes në këtë hapësirë, për ruajtjen dhe kujdesin për të. Kërkohen investime më të mëdha për kujdesin, sepse po shihet që është një ndotje enorme e cila po përsëritet vazhdimisht. Andaj duhet me patjetër të ketë zbatim të ligjeve, investime të shtuara si dhe një bashkëpunim institucional, i cili është më se i domosdoshëm”, shtoi Hasanaj.
Ai tha se ndëshkimet mund të ndikojnë në vetëdijesimin e qytetarëve, por nuk janë masa e vetme që duhet të merret. Vuri në dukje se se mungojnë kushtet bazë në zonë, si infrastruktura për mbeturina dhe kontrolli i rregullt nga institucionet.