Pas zjarrit në një pallat në Tiranë, zjarrfikësit e paraqitur në urgjencë janë mirë, s’kanë probleme
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, tha se dy zjarrfikës, të angazhuar për fikjen e zjarrit në kompleksin Arlis, në rrugën e Dibrës, pranë “Farmacisë 10”, janë paraqitur në urgjencë për të marrë ndihmë mjekësore.
Në një prononcim për mediet, Hita tha se dy efektivët e forcave zjarrfikëse janë në gjendje të mirë shëndetësore.
“Kanë qenë 2 banorë të evakuuar nga shërbimet zjarrfikëse dhe të policisë. Ata janë shumë mirë, nuk kanë probleme të rënda, përveç asfiksisë. Janë paraqitur 2 punonjës të shërbimit zjarrfikës, ata kanë djegie të vogla, janë mirë me shëndet dhe nuk kanë probleme të rënda”, tha Hita.
Hita theksoi gjithashtu se për shuarjen e zjarrit janë angazhuar të gjitha forcat dhe strukturat e Policisë së Shtetit që në momentin e lajmërimit të ngjarjes.
“Gjithashtu janë vënë në dispozicion repartet e FNSH-së repartet e speciale RENEA për hapjen e dyerve”, tha ai.
Ai bëri të ditur se “akoma nuk janë kontrolluar të gjitha apartamentet deri sa të vihet zjarri nën kontroll. Nuk kemi njoftim zyrtar për humbje jete”.
Sa i përket shkaqeve të zjarrit, Hita tha se policia ka indicie dhe se po grumbullon provat e nevojshme.
“Do kryhen gjithë veprimet hetimore”, u shpreh ai.
Nga ana tjetër, drejtori i Shërbimit Zjarrfiksë, Arben Cara, tha se flakët janë neutralizuar. Cara tha se po punohet që të lokalizohet zjarri nga të gjitha drejtimet dhe banesat që flakët të vihen nën kontroll.
“Shumë shpejt për të folur për shkaqet e zjarrit. Jemi angazhuar maksimalisht me forcat e Policisë së Shtetit dhe Emergjencave Civile për të bërë të mundur për neutralizimin flakëve që tashmë e kemi nën kontroll. Është shumë shpejt për të thënë se zjarri është fikur, pasi po punohet në të gjitha drejtimet për të bërë të mundur lokalizmin e zjarrit në të gjitha banesat. Kemi bërë të mundur lokalizimin e zjarrit që të mos përhapet në kullat përreth”, tha Cara.
Cara shtoi se “Tirana është angazhuar me të gjitha kapacitetet e plota, mbi 50 zjarrfikës nga Bashkia Tiranë, nga Vora dhe nga Kamza. Zjarrfikësit e ushtrisë janë këtu”.
“Në orën 16:52, nga salla e policisë, ne kemi marrë lajmërimin për një zjarr në këtë kompleks dhe më pas unë kam komunikuar me drejtorin e përgjithshëm të Policisë së Shtetit, drejtorin e emergjencave civile, ministrin e Brendshëm dhe kemi bërë të mundur angazhimin e forcave që tashmë po punojnë intensivisht për lokalizimin e vatrave të zjarrit”, u shpreh aim raporton ATSH.
Gjithashtu Cara tha se nuk “mund të flasim për sa apartamente janë shkrumbuar, por zjarri ka përfshirë të gjithë seksionin nga veri-lindja nga kati i parë në katin e fundit në kompleks”.