Gjithsejtë 30 medalje të fituara, shtatë të arta, dhjetë të argjendta e trembëdhjetë të bronzta, ishte bilanci pjesëmarrjes së karateistëve të Kosovës në turneun “Grand Prix” të Kroacisë, ku morën pjesë 32 shtete nga e gjithë bota.
Ky sukses i jashtëzakonshëm e ka bërë krenar edhe kryetarin e sapozgjedhur të Federatës së Karatesë, Avni Gashin, i cili thotë se një sukses i tillë, siç ishte ky në Kroaci, është një shtysë e madhe për të synuar trofe edhe në garat zyrtare të nivelit evropian dhe botëror, derisa ka bërë thirrje që kjo të jetë një alarm edhe për institucionet shtetërore që qasja ndaj këtij sportit të jetë më e fuqishme.
Përveç trofeve, qëndrimi disa ditor në Kroaci ka shërbyer shumë edhe për çështje të tjera. Duke folur për KosovaPress, Gashi zbulon se federata që ai drejton ka nisur kontaktet direkte me Federatën Evropiane dhe atë Botërore për të organizuar në Kosovë të dy garave të nivelit të lartë, njëra prej të cilave ishte caktuar të zhvillohej në Rusi.
“Kemi filluar tashmë kontaktet direkte në raport me Federatën Evropiane dhe Botërore. Janë dy gara që janë anuluar, njëra është për shkak të luftës në Rusi që ka qenë “Premierliga, është nivel shumë i lartë i garës të cilën pretendojmë ta marrim si organizatorë, do të thotë të jemi nikoqir të asaj gare për t’ia mundësuar të gjithë karateistëve që të jenë në Kosovë, të mos anulohet ajo garë fare dhe njëkohësisht të promovojmë vlera edhe shtetërore në nivel botërorë. Pjesë tjetër është edhe një garë e cila është anuluar për shkak të pandemisë në Salsburg të Austrisë e cila quhet “Serie-A”, është po prapë e nivelit botëror ku realisht është numër edhe më i madh i pjesëmarrësve potencial që do ta promovonte shtetin tonë edhe në nivele më të gjera, po flas në aspektin e të gjitha shteteve në botë”, theksoi i pari i FKK-së.
“Sa i përket ministrisë, janë disa lehtësira që ndodhin përmes Federatës së Karatesë. Është një buxhet i caktuar i cili nuk i mbulon as gjysmën e aktiviteteve tona dhe për këtë duhet shtuar edhe faktin tjetër se buxheti i cili jepet nga ministritë, për të gjitha federatat, jo vetëm për ne, ndodh në tre mujorsha. Do të thotë ndahet në katër pjesë gjatë vitit dhe si mjete financiare vijnë pasi të përfundojnë aktivitetet. Kjo e dëmton në fakt edhe vet buxhetin sepse nuk është se ke mundësi dhe nuk ke stabilitet financiar për t’i pronotuar biletat me një çmim më të lirë, udhëtime çfarëdo lloj, akomodime çfarë do lloj…Në aspektin e infrastrukturës, ministritë në fakt deri më tani mund të kenë investuar nëpër palestra sportive por që janë të nivelit më shumë lokal ose më mirë të themi janë salla të cilat nuk plotësojnë ndonjë standard për gara ndërkombëtare”, bëri të ditur Gashi.
Vitit 2022 është tejet i ngjeshur për Federatën e Karatesë, me një numër të madh aktivitetesh të parapara si në nivel vendor, ashtu edhe në atë ndërkombëtar, por i pari i FKK-së ka dyshime për mbajtjen e tyre sepse, sipas tij, kjo federatë ka dy probleme të mëdha.
Ndryshe, Avni Gashi erdhi në krye të Federatës së Karatesë së Kosovës pas dorëheqjes së ish-kryetarit Ismet Krasniqi, i cili tani është president i Komitetit Olimpik të Kosovës.