Pas shpalljes të pafajshëm të deputetëve për gaz lotsjellës, avokatët: Më në fund pas dhjetë vjetësh mori epilog
Drejtat Autoriale
Lexohet për: 3 min.
Dëgjoje me zë...
Pas shpalljes të pafajshëm të deputetëve për gaz lotsjellës, avokatët: Më në fund pas dhjetë vjetësh mori epilog
avokatat foto1234
21/03/2026 - 15:37
Linku u kopjua

Janë shpallur të pafajshëm ish-deputetët e përfshirë në rastin e njohur të gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës gjatë viteve 2015-2016, në shenjë kundërshtimi të Asociacionit dhe demarkacionit, pas një procesi gjyqësor që ka zgjatur rreth dhjetë vjet.

Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykim refuzues ndaj Albulena Haxhiut dhe të tjerëve, për shkak të parashkrimit të veprës penale, duke bërë aktakuzën e vjetruar.

Në një konferencë për media, avokati i Albulena Haxhiut, Burim Halili, tha se gjatë gjithë procesit gjyqësor nuk është arritur të provohet fajësia e të akuzuarve.

“Është mbajtur një shqyrtim gjyqësor dhe asnjëherë nuk ka arritur që të vërtetohet që elementet e dyshimta kishin të bënin me veprën penale për çka dhe ato ishin ndaluar. Dhe këtu në vitin 2021 kishim pasur një aktgjykim, ku të njëjtit ishin shpallur domethënë të pafajshëm dhe në afat ligjor ishte ushtruar ankesë.

Dhe rasti kishte shkuar në rigjykim, edhe pas rigjykimit prokuroria kishte dështuar që me veprimet e saj të vërtetojë fajësinë e tyre. Pastaj rasti ishte stërzgjatur ku kishte shkuar dhe arrin pas 10 viteve të kemi edhe parashkrim, ku në rastin konkret kemi vendim ku lirohen nga të gjitha pikat e aktakuzës Albulena Haxhiu dhe të tjerët”, tha Halili.

Po në këtë konferencë për media, avokati Musa Damati bëri të ditur se klienti i tij, ish-deputeti Pal Lekaj, është liruar nga të gjitha akuzat.

“Konfirmoj dhe deklaroj para jush dhe para qytetarëve të Republikës së Kosovës, se klienti im zotëri Pal Lekaj është shpallur i pafajshëm nga të gjitha akuzat me të cilat është ngarkuar në rastin e njohur për publikun, rastin e gazit lotsjellës. Pra, kemi të bëjmë me rastin e njohur të hedhjes së bombolave të gazit lotsjellës, për të cilat janë pandehur dhe janë ngarkuar dhe është rast i cili është shqyrtuar tashmë e dhjetë vite në organet e Kosovës.” tha Damati.

Ai tha se vendimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë përfshin edhe emra të tjerë të njohur të skenës politike.

“Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallë vendimin e saj për zotërin Lekaj, zonjën Albulena Haxhiu, për zonjën Donika Kadaj dhe zonjën Besa Baftiu. Të gjithë këta, sipas vendimit të Gjykatës Themelore të Prishtinës janë shpallur të pafajshëm. Dhe më në fund ky rast pas dhjetë viteve ka marrë epilog duke konfirmuar pafajësinë e tyre të plotë”, tha ai.

Sipas mbrojtjes, ky vendim përbën një epilog përfundimtar të njërit prej rasteve më të gjata gjyqësore në vend, duke konfirmuar pafajësinë e të akuzuarve pas një dekade procesesh.


/Kosovapress/
Lajmi i plotë ëshë në sistemin me parapagim. Abonohu për ti shfryëzuar shërbimet KosovaPress-it.
Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2026