Pas luleve dhe barit artificial në ishujt rrugorë, komuna sqaron projektin pa treguar koston totale
Lajme
Lexohet për: 3 min.
Dëgjoje me zë...
Pas luleve dhe barit artificial në ishujt rrugorë, komuna sqaron projektin pa treguar koston totale
19/05/2026 - 15:51
Linku u kopjua
Në “ishujt rrugorë” të Mitrovicës, betoni i zakonshëm është zëvendësuar me një shtresë gjelbërimi artificial dhe lule, duke i dhënë këtyre hapësirave një pamje më të gjallë dhe më të rregulluar, një ndërhyrje që ka tërhequr vëmendje dhe ka hapur diskutime për projektin e realizuar gjatë fundjavës, raporton KosovaPress.
Drejtori për Shërbime Publike dhe Infrastrukturë, Naser Muja, ka sqaruar se përdorimi i barit artificial është bërë për shkak të kushteve specifike të terrenit.
“Përdorimi i barit artificial është zgjedhur për shkak se hapësirat ku është vendosur janë shumë të vogla dhe të ngushta, si dhe tërësisht të betonuara. Në këto kushte, mbjellja e gjelbërimit natyral do ta kishte shumë të vështirë mirëmbajtjen dhe jetëgjatësinë, ndërsa vendosja e dheut dhe krijimi i kushteve të përshtatshme për rritjen e bimëve është pothuajse e pamundur”, thotë ai në një përgjigje me shkrim.
Sa i përket aspektit financiar dhe kontratës, drejtoria thekson se projekti është pjesë e marrëveshjes ekzistuese për mirëmbajtjen dhe krijimin e hapësirave gjelbëruese.
“Duke u bazuar në kontratën bazë ndërmjet Operatorit Ekonomik dhe Komunës për mirëmbajtjen dhe krijimin e hapësirave gjelbëruese, projekti parasheh mbjelljen e luleve, mirëmbajtjen e tyre, si dhe mbjelljen e drunjve. Vlen të theksohet se çmimet e kontraktuara janë mjaft të volitshme dhe përfshijnë një numër të konsiderueshëm pozicionesh të favorshme për Komunën. Kostoja përfundimtare e projektit do të bëhet e ditur pas përfundimit të plotë të punimeve, megjithatë, bazuar në ofertën financiare, nuk pritet të ketë kosto të lartë”, tha ai.
Muja ka folur edhe për rastet e dëmtimit dhe vjedhjes së disa luleve të vendosura në këto hapësira publike.
“Jemi të njoftuar lidhur me vjedhjen e disa luleve dhe konsiderojmë se veprime të tilla nuk janë të mira dhe aspak të hijshme për imazhin. Si drejtori, do të jemi maksimalisht të përkushtuar në rregullimin, mirëmbajtjen dhe ngritjen e sipërfaqeve gjelbëruese, si dhe të infrastrukturës komunale në përgjithësi”, thuhet në përgjigje.
Nga ky departament i komunës është bërë e ditur se do të ndërmerren masa për parandalimin e rasteve të ngjashme në të ardhmen.
“Do të ndërmerren masa konkrete për të parandaluar raste të ngjashme në të ardhmen, përfshirë shtimin e monitorimit në hapësirat publike, bashkëpunimin me organet e rendit dhe ngritjen e vetëdijes për ruajtjen e pronës publike. Gjithashtu, do të shqyrtohen mundësitë për vendosjen e formave shtesë të mbrojtjes dhe mbikëqyrjes në zonat ku janë realizuar investimet në gjelbërim dhe infrastrukturë publike”, ka thënë Muja për KosovaPress. /Kosovapress/