Pas fitores së Trump, monedha e Iranit ra në nivelin më të ulët historik
Biznes
Lexohet për: 2 min.
Pas fitores së Trump, monedha e Iranit ra në nivelin më të ulët historik
Foto Ilustruese
2 muaj më parë
Linku u kopjua

Monedha e Iranit rial ra sot në nivelin më të ulët në histori, duke sinjalizuar sfida të reja përpara Teheranit, pas fitores së Donald Trump në zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, raporton New York Post.

Sipas burimeve nga Teherani, sot është thyer rekordi i vlerës më të ulët të monedhës iraniane, kur 703 mijë rialë iranianë kapin vlerën e një dollari dhe gjatë ditës monedha u rikuperua lehtë me vlerën 696.150 rial për 1 dollar.

Në kohën e marrëveshjes bërthamore të Iranit me fuqitë botërore në vitin 2015, sipas kursit zyrtar të këmbimit, 32 mijë rialë vlenin një dollar.

Gjatë mandatit të tij të parë presidencial, Trump e tërhoqi në mënyrë të njëanshme Amerikën nga ajo marrëveshje në vitin 2018, gjë që shkaktoi tensione mes dy vendeve që vazhdojnë edhe sot e kësaj dite.

Në ditën kur presidenti reformator i Iranit Masoud Pezeshkiyan u betua dhe filloi mandatin e tij, më 30 korrik të këtij viti, 584 mijë rialë vlenin një dollar.

Prej javësh, qeveria iraniane është përpjekur të minimizojë ndikimin e rezultateve të zgjedhjeve presidenciale amerikane në Teheran dhe këtë qëndrim e përsëriti sot zëdhënësja e administratës Pezeshkian, Fatema Mohajerani.

“Zgjedhja e presidentit amerikan nuk ka të bëjë me ne. Politikat kryesore të Amerikës dhe Republikës Islamike nuk do të ndryshojnë ndjeshëm nga njerëzit që zëvendësojnë të tjerët. Ne tashmë kemi bërë përgatitjet e nevojshme paraprakisht”, tha ajo.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2025