Ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla, më 23 dhe 24 dhjetor ka paralajmëruar vizitë zyrtare njëditore në Luginën e Preshevës, por Qeveria e Serbisë ka refuzuar kërkesën.
Ministri Sveçla kishte paraparë takime me përfaqësuesit e Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve të Luginës, duke filluar me përfaqësuesit e Zyrës së KKSH-së në Medvegjë, për të vazhduar në Bujanoc, në selinë e KKSH-së, si dhe më pas në Preshevë, në selinë e degës së KKSH-së për këtë komunë.
Qeveria e Serbisë gjatë këtyre dy vjetëve të fundit ka refuzuar rregullisht vizitat e zyrtarëve të lartë qeveritarë të Kosovës, posaçërisht kur bëhet fjalë për vizitat në Luginë.
Përveç Sveçlës, janë refuzuar rregullisht edhe vizitat e ministrave të tjerë të kabinetit qeveritar të Kosovës, e fundit nga të cilat ka qenë vizita e ministrit për Kulturë Hajrulla Çeku, e paralajmëruar më 19 dhjetor 2024.Veprime të tilla të Qeverisë së Serbisë kanë për qëllim të qartë mbajtjen e tensioneve me Kosovën në shkallë të lartë dhe pjesë e provokimeve të vazhdueshme, të cilat Beogradi zyrtar i bën në baza të rregullta dhe me qëllim të shkaktimit të konflikteve, ku aktet terroriste në Banjska dhe Ibër-Lepenc janë manifestimi më i dukshëm i tyre.