Raportuesi për Kosovën në Parlamentin Evropian, Riho Terras, përgatiti draft-raportin vjetor për situatën në Kosovë dhe progresin e saj drejt BE-së, i cili do të paraqitet më 20 shkurt në një seancë të Komisionit të Politikës së Jashtme të PE-së.
Ky draft-raport vlerëson përkushtimin e Kosovës për integrim në Bashkimin Evropian, ndërsa thekson se e ardhmja e Kosovës është në BE dhe se përpjekjet për ta nxjerrë vendin nga një zonë gri, janë në interes edhe të Kosovës, edhe të BE-së, shkruan REL.
Dokumenti, të cilin Terras e shkroi pas konsultimeve me partnerët dhe duke marrë parasysh gjetjet e Komisionit Evropian, nënvizon “progresin domethënës në fushën e drejtësisë, të sigurisë dhe lirive, të luftës kundër krimit të organizuar dhe të funksionimit të ekonomisë së tregut”, por shpreh keqardhje për përparimin e limituar në sundimin e ligjit.
Në këtë draft-raport kërkohet edhe njëherë nga BE-ja që t’i heqë masat ndëshkuese ndaj Kosovës, të cilat i ndërmori në qershor të vitit 2023, për shkak të tensioneve në veriun e vendi, të banuar me shumicë serbe.“Bëjmë thirrje për heqjen e menjëhershme të masave të BE-së ndaj Kosovës, të cilat nuk janë më të arsyeshme dhe janë në kontradiktë me përkushtimin e dëshmuar të Kosovës ndaj vlerave evropiane dhe me përshtatjen e saj me politikat e BE-së”, thuhet në dokument.
Parlamenti Evropian mbështet edhe kërkesën e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe planin për t’iu bashkuar programit të Partneritetit për Paqe të NATO-s.
“Përsërisim shqetësimin për vonesat në rastet gjyqësore dhe kritikat nga ana e zyrtarëve të Qeverisë ndaj vendimeve në rastet individuale”, thuhet në draft-raport.
Raporti kërkon që kryesit e këtyre veprave të dhunshme, të nxirren para drejtësisë.
Aty shprehet keqardhje përse Serbia nuk i ka nxjerrë para drejtësisë “kryesit e sulmit terrorist në Banjskë, përfshirë ish-nënkryetarin e Listës Serbe, Millan Radoiçiq”.
Në raport kërkohet më shumë transparencë sa i përket pronësisë dhe financimit të mediave, ndërsa shprehet shqetësim serioz për rastet e sulmeve ndaj gazetarëve.
Dokumenti shpreh, gjithashtu, mbështetje për procesin e dialogut për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë dhe përshëndet emërimin e Peter Sorensenit në postin e të dërguarit të posaçëm të BE-së për këtë dialog.
Pastaj, për to do të votohet së pari në Komisionin parlamentar, e më pas raporti do të miratohet si rezolutë e Parlamentit Evropian.