Në panairin ndërkombëtar dyditor EXPOKOS, i cili po mbahet në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë në Prishtinë janë duke marrë pjesë 21 kompani prodhuese vendore dhe ndërkombëtare të sektorëve të ndryshëm.
Hapjen e këtij panairi e bëri zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi i cili në fjalën hyrëse të tij, tha se falë prodhuesve vendorë Kosova është renditur me kompanitë ndërkombëtare derisa shtoi se vendi ynë këtë vit do ta ketë rritjen ekonomike më të madhen në rajon.
Ai tha se pret që Kosova sivjet të ketë rritjen më të madhe ekonomike në rajon.
“Qeveria jonë po shënon qeverisjen e parë në shumë politika të cilat sidomos në fushën e Ekonomisë janë shumë të suksesshme, për herë të parë Kosova ka realizuar një dyshifror të rritjes ekonomike në terma realë, dhe po ashtu pritjet për vitin 2022 janë që Kosova do të ketë rritje më të madhe ekonomike në rajon dhe kjo rritje është mundësuar falë bizneseve të cilat eksportet e tyre u janë rritur vetëm për 1 vit me mbi 80% dhe kjo është përkthyer pastaj në rritjen e performancës buxhetore pa pasur një ndryshim të politikave fiskale” shtoi Bislimi.
“Vizioni ynë për të ardhmen në sektorin e energjisë është i qartë se synojmë nga njëra anë të jemi ambiciozë dhe të planifikojmë një linjë me planifikimet, qëllimet me Bashkimin Evropian, të cilat ne i kemi marrë si shtet në këtë aspekt. Aty ku duhet të shkojmë është dekarbonizimi i sektorit të energjisë deri në vitin 2050-të dhe strategjia njëvjeçare e energjisë planifikon në mënyrë të tillë që është realiste në mënyrë që gjithnjë duke pasur parasysh këtë qëllim afatgjatë që ta arrijmë deri në 2050-ën. Çfarë parashohim në strategji është përforcimi i kapaciteteve ekzistuese të prodhimit në transformimin dhe distribuimin, e që është informatë e rëndësishme për ju që jeni në sektorin e energjisë dhe ndërtimtarisë veçanërisht, krijimi i mundësive të burimeve të ripërtëritshme të energjisë me synim që ta arrijmë kapacitete deri në 1600-më, të burimeve të ripërtritshme të energjisë deri në vitin 2031, që është ambicioze, këtu po flasim në projekte të mëdha, energji solare dhe energjinë e erës”, tha Rizvanolli.
Në anën tjetër, ministrja e Industrisë, Tregtisë dhe Ndërmarrësisë, Rozeta Hajdari tha se Kosova tashmë është renditur e para në rajon për mundësitë që iu ofron investitorëve që dëshirojnë të investojnë në Kosovë.
Bleron Hoti nga kompania vendore e plastifikimit dhe përpunimit të metaleve, tha për KosovaPress se duhet të ketë lehtësime për kompanitë në aspektin e transporti. Derisa ka kërkuar që të bëhet liberalizimi i vizave.
“Vështirësi, si çdo punë ka vështirësi nuk është e lehtë për neve. Njihemi si njëra nga kompanitë për eksportin më të madh edhe në Evropë ku 90% e produkteve i eksportojmë jashtë, ka lehtësime në lëndën e parë, po presim lehtësime edhe të tjera që të ketë zhvillim më të mirë për bizneset” tha Hoti.
Panairi Ndërkombëtar EXPOKOS, i cili organizohet në Kosovë prej 21 vjetësh, po mbahet në Prishtinë dhe është ngjarja më e rëndësishme në Ballkanin Perëndimor dhe i dedikohet të gjitha bizneseve që i përkasin sektorit të Ndërtimit, Energjisë, Makinerisë dhe Sigurisë.
Me mbi 16.000 pjesëmarrës deri më tani, EXPOKOS konsiderohet një vend takimi i rëndësishëm për Ballkanin, duke krijuar ura midis bizneseve që operojnë në rajonin e Ballkanit dhe bizneseve që synojnë tregtinë ballkanike.