Pacolli paditë për shpifje Lumir Abdixhikun, Përparim Ramën dhe Doarsa Kica-Xhelilin
Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli, ka dorëzuar padi në Gjykatë Themelore në Prishtinë, kundër kryetarit të kryeqytetit të Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, dhe nënkryetares së kësaj partie, Doarsa Kica-Xhelili, të cilët po i akuzon për shpifje ndaj saj në lidhje me rastin e rrugës A.
Ajo tha se këtë padi po e bën në lidhje me rastin e rrugës A, ku sipas saj, këta të tre kanë shpifur për Pacollin për të cilën nuk kanë fakte.
“Unë sot jam këtu që të dorëzoj një padi kryetarit të komunës, Përparim Rama, kryetarit të Lidhjes Demokratike, Lumnir Abdixhiku dhe kundër nënkryetares së Lidhjes Demokratike, Doarsa Kica-Xhelili në lidhje me rastin e rrugës A dhe me vendimin e Gjykatës Komerciale, ku ata shfrytëzojnë vendimin e Gjykatës Komerciale shpifin dhe fyejnë dhe denigrojnë personalitetin tim, duke më akuzuar për diçka që nuk është as nuk kanë fakte, kështu që sot do t’i padis këta tre persona për shpifje dhe fyerje që kanë bërë ndaj meje”, ka thënë Pacolli.