Ministrja në detyrë e Mjedisit dhe e Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli, akuzoi Komunën e Pejës për moshartimin e Planit rregullues për Rugovën, duke thënë se kjo ka lënë qytetarët vite të tëra pa mundësi për pajisje me leje ndërtimi.
Pacolli në një intervistë për KosovaPress tha se Qeveria e Kosovës në vitin 2022 ka miratuar për herë të parë Planin hapësinor për Parkun Kombëtar “Bjeshkët e Nemuna”, duke i hapur rrugë Komunës që të hartojë Planin rregullues.
“Tani kur kemi ardhur ne në Qeveri në vitin 2022, e kemi votuar planin hapësinor për Bjeshkët e Nemuna. Për herë të parë, Plan hapësinor për Bjeshkët e Nemuna. Ne ia kemi hapur derën Komunës së Pejës dhe i kemi thënë se tani mund të fillojë me Planin rregullues, sepse ne e kemi hartuar Planin hapësinor dhe Planin për menaxhimin e parkut… Komuna e Pejës fare nuk është mërzitur për interesin e qytetarëve të trevës së Rugovës dhe asnjëherë nuk e ka iniciuar procesin e hartimit të planit rregullues. Rrjedhimisht, qytetarët kanë mbetur në një situate, ku akoma nuk mund të kërkojnë leje për ndërtim”, tha Pacolli.
Ajo paralajmëroi se nëse komuna nuk ndërmerr veprime, ministria mund ta marrë vetë përsipër hartimin e Planit rregullues.Pacolli njoftoi po ashtu se do të nisë rishikimi i Ligjit për Parkun Kombëtar “Bjeshkët e Nemuna”, me fokus të veçantë në trevën e Rugovës.
Ministrja në detyrë bëri të ditur edhe një linjë të re buxhetore për vitin 2027, e cila synon mbështetjen e banorëve të Rugovës për transformimin e objekteve tradicionale në struktura ekologjike turistike.