Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka zhvilluar një takim me ministren për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Elisa Spiropali, ku e kanë njoftuar për angazhimet e OVL-UÇK lidhur me zhvillimet që ndërlidhen me Gjykata Speciale dhe për hapjen e peticionit qytetar në mbështetje të një procesi të drejtë për luftën çlirimtare.
Veteranët theksuan rëndësinë që zëri i tyre dhe i qytetarëve të dëgjohet në fazën përfundimtare të procesit, ndërsa shprehën mirënjohje për mbështetjen dhe angazhimin e vazhdueshëm të shtetit shqiptar në çështjet me rëndësi kombëtare.
“Theksuam rëndësinë që zëri i veteranëve dhe i qytetarëve të dëgjohet qartë në këtë fazë përfundimtare të procesit. Njëkohësisht, e falënderuam Ministren dhe shtetin shqiptar për mbështetjen dhe angazhimin e vazhdueshëm që po japin në këtë aspekt, duke vlerësuar rolin e Shqipërisë në mbështetje të çështjeve me rëndësi kombëtare”, thuhet në njoftim.