OVL-UÇK letër ambasadorëve pas zgjatjes së afatit për aktgjykimin ndaj katërshes së UÇK-së
Lajme
Lexohet për: 3 min.
Dëgjoje me zë...
OVL-UÇK letër ambasadorëve pas zgjatjes së afatit për aktgjykimin ndaj katërshes së UÇK-së
07/05/2026 - 14:10
Linku u kopjua
Pas zgjatjes së afatit për shpalljen e aktgjykimit për katërshen e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së sot u është drejtuar ambasadave mike në Kosovë me një letër apeli për ruajtjen e besimit në drejtësinë ndërkombëtare.
Sipas OVL-UÇK-së përmes kësaj letre ata kanë shprehur shqetësimin lidhur me zvarritjet dhe zhvillimet e fundit në procesin gjyqësor në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së, duke kërkuar që drejtësia ndërkombëtare të mbetet e paanshme, e drejtë dhe në përputhje me standardet universale të të drejtave të njeriut.
“Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së njofton opinionin publik se sot, zyrtarisht, u është drejtuar ambasadave mike në Kosovë me një letër apeli për ruajtjen e besimit në drejtësinë ndërkombëtare. Përmes kësaj letre, OVL UÇK kemi shprehur shqetësimin lidhur me zvarritjet dhe zhvillimet e fundit në procesin gjyqësor në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së, duke kërkuar që drejtësia ndërkombëtare të mbetet e paanshme, e drejtë dhe në përputhje me standardet universale të të drejtave të njeriut. OVL UÇK vlerëson mbështetjen e vazhdueshme të shteteve mike ndaj Kosovës dhe beson se ruajtja e besimit në drejtësi është jetike për paqen, stabilitetin dhe partneritetin ndërkombëtar”, ka njoftuar në Facebook OVL-UÇK.
Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë tashmë kanë konfirmuar zgjatjen e afatit për shpalljen e aktgjykimit për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi. Afati i shqiptimit të aktgjykimit është shtyrë për 60 ditë të tjera, deri më 20 korrik 2026.
Kryeprokurorja e specializuar, Kimberly West ka kërkuar dënim nga 45 vjet për secilin nga ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi kanë thënë fjalët e tyre përfundimtare më 18 shkurt ku edhe një herë janë deklaruar të pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës. Edhe mbrojtja e tyre ka mohuar krimet për të cilat pretendon Zyra e Prokurorit të Specializuar.
Gjykimi ndaj katërshes së UÇK-së ka nisur më 3 prill 2023 - gati tri vjet pas konfirmimit të aktakuzës prej kur ish-krerët e UÇK-së mbahen në qendrën e paraburgimit në Hagë./B.Ibishi/