Osmani viziton Qendrën Nacionale të Xhudos, lavdëron kampionët dhe suksesin e Kosovës
Sport
Lexohet për: 2 min.
Dëgjoje me zë...
Osmani viziton Qendrën Nacionale të Xhudos, lavdëron kampionët dhe suksesin e Kosovës
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka ndarë përshtypjet e saj pas një vizite në Qendrën Nacionale të Xhudos, duke e cilësuar atë si një simbol të disiplinës, suksesit dhe përkushtimi ndaj shtetit.
Në faqen e saj zyrtare, Osmani theksoi se çdoherë që ndodhet pranë ekipit të xhudos, ndjen forcën, shpirtin dhe dashurinë që sportistët e kësaj qendre kanë për Kosovën, derisa vlerësoi veçanërisht punën e trajnerit legjendar Driton Kuka dhe sukseset e kampionëve si Mjlinda Kelmendi, Distria Krasniqi dhe Laura Fazliu.
“Kryemjeshtër Toni, Majlinda, Distria, Laura dhe i gjithë ekipi i shkëlqyer, çdoherë kur jam pranë jush, ndjej forcën e disiplinës, shpirtin e kampionëve dhe dashurinë e madhe për Kosovën” – bëhet e ditur në postimin zyrtar.
Ndërkohë Presidentja shprehu gjithashtu mirënjohje për sportistët ndërkombëtarë nga Ukraina, Shtete e Bashkuara të Amerikës dhe Japonia, të cilët kanë zgjedhur Kosovën si vend për stërvitje dhe zhvillim profesional.
Sipas Osmanit, falë punës së vazhdueshme dhe vizionit të Federatës së Xhudos të Kosovës, vendi ynë është shndërruar në një nga qendrat më të rëndësishme botërore të xhudos, duke tërhequr talente nga e gjithë bota.
Vizita e Presidentes konsiderohet një tjetër dëshmi e mbështetjes institucionale për sportin, i cili vazhdon të sjellë suksese të mëdha ndërkombëtare për vendin.
KosovaPress