Ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, vizitoi sot familjen e policit të rënë në detyrë, Afrim Bunjaku, pas vendimit të gjykatës për dënimin e të akuzuarve në rastin e sulmit në Banjskë.
Gjatë vizitës, Osmani theksoi se sakrifica për shtetin e Kosovës mbetet e vazhdueshme dhe kërkon përkushtim të përditshëm nga të gjithë qytetarët.
Ajo tha se fatkeqësisht e kemi një fqinj që prej shumë shekujsh ka sjellë probleme, por që sipas saj çizma e Serbisë nuk do të shkel më këtej.
“Mbi të gjitha, amaneti i tij dhe i shumë djemve e vajzave që kanë dhënë jetën për këtë vend do të jetojë përherë. Këtë ju siguroj: keni fëmijë të jashtëzakonshëm, me të cilët jemi takuar dhe i kemi pritur, edhe djem edhe vajza, që vazhdojnë me ju bërë krenarë duke vazhduar rrugën e babait të tyre. Jam e bindur se edhe nipat e mbesat do ta vazhdojnë këtë rrugë për ta bërë këtë vend krenar”, tha ajo.“Duhet që Milan Radoiçiç të dorëzohet në Kosovë dhe të marrë dënimin e merituar, si dhe shumë kriminelë të tjerë që kanë vepruar nën urdhrin e Aleksandar Vuçiqit. Ky është vetëm hapi i parë i drejtësisë për heroin Afrim. Por në këto momente të rënda që i kemi përjetuar si shtet, na kanë qëndruar pranë miqtë tanë dhe na kanë ndihmuar edhe Amerika dhe shtetet e tjera, jo vetëm atë ditë, por edhe në ditët kur janë bërë hetimet për rastin e Banjskës. Tash e kemi këtë vendim që është hapi i parë i drejtësisë për heroin Afrim dhe për ju si familje”, tha ajo.
Xhaxhai i heroit Afrim Bunjaku, Gani Bunjaku kujtoi përkushtimin e tij ndaj mbrojtjes së vendit, duke shtuar se ai gjithmonë kishte theksuar rëndësinë e mbrojtjes së territorit të Kosovës.
“Boll kemi derdhur, por për ta mbrojtur, Mitrovica është shpirti ynë”, kishte thënë heroi Afrim Bunjaku, sipas familjarëve.
“Pas vetes na ke me shpirt, me zemër dhe me mendje. Na duhen njerëz të tillë. Për të ecur përpara duhet njerëz adekuatë në pozicionet e tyre, që të ecim mbarë e mirë”, tha ai.
Ekipi i KosovaPressit ka ndjekur procesin e gjykimit të të akuzuarve për rastin e Banjskës së bashku me familjen e heroit Afrim Bunjakut.