Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani në këto qaste po pret në takim presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.
Von der Leyen po qëndron për vizitë në Kosovë si pjesë e turneut në gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, për të shprehur përkushtimin e komisionit për angazhim në afrimin e rajonit drejt BE-së.
Osmani dhe Ursula Von der Leyen pas takimit do të mbajnë një konferencë për media. Kurse, nga ora 11:15, Von der Leyen takohet me kryeministrin Albin Kurti, ku mediat do të kenë mundësi të marrin vetëm pamje.
Para nisjes së turneut të saj, e para e Komisionit Evropian ka paralajmëruar se procesin e zgjerimit e ka ndër prioritetet kryesore dhe për këtë e ka caktuar një komisionare, e cila do të merret vetëm me zgjerimin e BE-së.
Von der Leyen me ndalesën e parë kishte Shqipërinë më 23 tetor, për të vazhduar në Maqedoninë e Veriut, Bosnje e Hercegovinën dhe Serbi. Vizitën në rajon ajo do ta përfundojë me takimin me liderët e Malit të Zi në Podgoricë.
Ndryshe, të premten e kaluar, BE miratoi agjendat e reformave të pesë vendeve të Ballkanit Perëndimor, të cilat i kanë paraqitur ato si kusht për të përfituar nga paketa e Planit të Rritjes prej 6 miliard eurosh.
Kosova, e cila aplikoi për anëtarësim në BE më 15 dhjetor 2022, mbetet vendi i vetëm në rajon që nuk e ka ende statusin e vendit kandidat.