Osmani: Shpresojmë që BE të ketë qasje të balancuar në dialog
Lexohet për: 3 min.
1 vit më parë
Linku u kopjua
Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, shpreson për qasje më të balancuar të Bashkimit Evropian në procesin e dialogut Kosovë-Serbi. Pas takimit me shefin e NATO-s, Osmani tha se ka pasur momente kur BE nuk ka treguar balanc. Ndërsa nga të dy përmend edhe çështja e forcave speciale të dërguara në veri, për çka Stoltenberg tha se çdo zbarkim i ri i forcave speciale kërkon pajtimin e KFOR-it.
Nga selia e NATO-s në Bruksel, Osmani theksoi se lista e marrëveshjeve të pazbatuara nga ana e Serbisë është shumë e gjatë.
“Kosova ka qenë gjithmonë pala konstruktive. Fatkeqësisht, e vetmja palë konstruktive në këtë proces. Fatkeqësisht lista e marrëveshjeve të pazbatuara nga ana e Serbisë është shumë e gjatë. Nuk dua thellohem aty, por më duhet të them që shpresat tona janë që do të ketë një qasje të balancuar së paku nga ndërmjetësit të BE-së, si parakusht për suksesin e procesit. Ka pasur momente kur nuk e kemi parë këtë balanc dhe do të doja t’i bëja thirrje gjithë partnerëve, aleatëve tanë që të sigurojnë këtë lloj balanc-peshe, që të sigurojnë parim të barazisë së plot dhe pozicionimit të njëjtë të palëve në proces, nëse duam të shohim rezultate të qëndrueshme dhe rezultate që me të vërtetë kontribuojnë për paqe dhe siguri dhe stabilitet në rajon”, deklaroi Osmani.
Sa i përket koordinimit me aleatët e NATO-s, kryetarja e shtetit garantoi se gjithmonë ka punuar për të siguruar se ka koordinim të plot mes institucioneve të Kosovës dhe pranisë së KFOR-it në Kosovë.
Në konferencën bashkë me Osmanin, Stoltenberg tha se përgjegjësit e trazirave të krijuara në veri gjatë këtij viti, duhet të mbahen para drejtësisë.
“Sulmi ndaj paqeruajtësve të NATO-s, personelit të KFOR-it që ka ndodhur në maj të këtij viti, është absolutisht e papranueshme dhe pra është shumë e rëndësishme që ata që janë përgjegjës për vepra të tilla të mbahen përgjegjës. Dhe ka hetime të thella nga autoritetet e Kosovës, kemi po ashtu edhe misionin e EULEX-it në Kosovë dhe sigurisht reaguesi i tretë është edhe vet KFOR-it”, deklaroi ai.
I pyetur se bashkësia ndërkombëtare po mbyll sytë ndaj veprimeve të Serbisë, ai ka mohuar një gjë të tillë.
“Jo, nuk është kështu. Kemi shumë të qartë mesazhet tona në Beograd edhe këtë e kam theksuar shumë qartë në takimin tim me zotëri Vuçiq këtë javë”, përfundoi ai.