Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar pas sulmeve ndaj gazetarëve të vendit në Leposaviq.
Presidentja Osmani u ka bërë thirrje të gjitha shteteve aleate që ta dënojnë sulmin ndaj gazetarëve që ndodhen gjatë ditës së sotme në veri.
“Gazetarët në veri të vendit u sulmuan sërish brutalisht nga bandat kriminale. Ata që kryejnë këto sulme duhet të përballen me drejtësinë. Përpjekjet e tyre për të destabilizuar Kosovën do të dështojnë. Këto akte të tmerrshme të dhunës së vazhdueshme duhet të dënohen nga të gjithë. Sundimi i ligjit do të mbizotërojë”, ka shkruar Osmani në Twitter.
Sulmet ndaj gazetarëve i kanë dënuar edhe subjekte të partive politike në vend.
“Sulmet e vazhdueshme dhe të dhunshme e të paprovokuara janë vepra kriminale dhe në shtetet demokratike nuk kanë vend, prandaj dhe duhet të dënohen, ndërsa kryerësit e sulmeve të tilla të dalin para drejtësisë”, thuhet në njoftim.
Lidhja Demokratike e Kosovës fton organet e sigurisë që gazetarët të mbrohen me protokolle të posaçme në zonat e tensioneve. Po ashtu edhe njëherë i bën thirrje institucioneve të Republikës së Kosovës që të marrin veprimet e duhura për të evituar destabilizimin e mëtutjeshëm të situatës.