Osmani pas takimit me Costa: Pas zgjedhjeve të krijohen institucionet urgjentisht
5-Fifth
Lexohet për: 6 min.
Dëgjoje me zë...
Osmani pas takimit me Costa: Pas zgjedhjeve të krijohen institucionet urgjentisht
Vjosa1234
03/06/2026 - 16:28
Linku u kopjua

Kandidatja e LDK-së për presidente, Vjosa Osmani deklaroi se rikonfirmuan mbështetjen e plotë për procesin e integrimit evropian të Kosovës.

Ajo theksoi se është shumë e rëndësishme që menjëherë pas zgjedhjeve të 7 qershorit të krijohen institucionet urgjentisht.

Këto deklarime Osmani i bëri pas takimit me presidentin e Këshillit Evropian, Antonio Costa në kuadër të vizitës së tij në Kosovë, i cili sot takoi edhe përfaqësues të subjekteve politike në vend.  

“Rikonfirmuam mbështetjen tonë të plotë për procesin e integrimit evropian për Kosovën, një proces i cili është i domosdoshëm, ekzistencial për sukseset e Kosovës.  Një proces që përgjatë tërë historisë sonë politike e kemi mbështetur pavarësisht ku kemi qenë dhe në çfarë pozicione. Është tepër me rëndësi që menjëherë pas zgjedhjeve të krijohen institucionet urgjentisht, të cilat e marrin përsipër këtë proces në dy aspekte shumë thelbësore të saj: e para është të filloj të zbatohet Plani i rritjes në mënyrë që Kosova të mos të humbasë më nga zvarritjet dhe krizat e njëpasnjëshme dhe e dyta është që menjëherë të bëjmë hapin e domosdoshëm të marrjes së statusit kandidat në BE për Kosovën”...Përgjatë mandatit tim si presidente kam parë që këto procese janë vërtet të mundshme në qoftë se punojmë shumë afër me partnerët tanë, nëse performojmë përbrenda sa i përket reformave  dhe nëse ndërtojmë unitet shtetëror politik në shtetin tonë sa i përket  integrimit evropian. Jam e bindur se gjithë kjo është e bëshme dhe natyrisht  që i gjithë diskutimi me presidentin Costa shkoi në këtë frymë jashtëzakonisht pozitive”, tha ajo.

Ish-presidentja e Kosovës, Osmani u shpreh se ekzistojnë dy arsye kryesore pse Kosova ende nuk e ka marrë statusin e vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

“Janë dy arsye kryesore. E para, sepse ka pasur mospajtime për disa çështje me qeverinë dhe ata prisnin që këto mospajtime të tejkalohen në mënyrë që Kosova dhe BE-ja të ulen dhe të flasin për këta hapa substancialë që kërkojnë mbështetje politike. Dhe problemi i dytë ka qenë që për të kaluar dosja apo aplikacioni i Kosovës nga Këshilli tek Komisioni, pra për ta mandatuar Këshilli Komisionin duhej të pajtoheshin edhe disa prej shteteve anëtare të BE-së që akoma nuk e  kanë njohur Kosovën. Por, siç e diskutuam me presidentin Costa sërish ne rikujtuam takimin që e kemi pasur në dhjetor ku ne me ndihmën  e liderëve të BE-së jemi angazhuar edhe me shtetet jo njohëse dhe ka pasur shkëndija shumë pozitive prej tyre dhe ka pasur shpresë të mëdha që do të mund ta bënim këtë hap madje gjatë presidencës së Qipros. Tani kriza që u krijua panevojshëm me këto zgjedhje e ka shtyrë e ka zvarritur këtë proces. Por jam e bindur që menjëherë pas zgjedhjeve me punën  që e patëm filluar”, tha Osmani.

Kandidatja për presidente nga LDK garantoi se nuk do ta çojnë endin në zgjedhje.

“Ka garanci se ne nuk do ta dërgojmë vendin në zgjedhje siç nuk e kemi dërguar as kësaj radhe”, tha ajo.

Kurse, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku deklaroi se në takimin me zyrtarin e lartë evropian i paraqitën tri qëndrimet e tyre elektorale.

“Ishte takim i mbarë dhe shumë miqësor. Konfirmuam tri qëndrimet tona elektorale. Kosovës i duhen institucione stabile, nisur nga presidenca te Kuvendi më pas edhe ekzekutivi, politikën e jashtme që i mbron interesat tona shtetërore dhe historike dhe vizionin euroatlantik që e kemi. Zhvillim, progres, investim, për çka edhe folëm në këtë takim”, thaAbdixhiku.

Takim me presidentin e Këshillit të Evropës, Antonio Costa, zhvilluan edhe përfaqësues të Aleancës. Kryetari i kësaj partie, Ardian Gjini,  deklaroi se si parti rikonfirmuan qëndrimin e tyre se integrimi i Kosovës në BE dhe NATO nuk kanë alternativë tjetër.

“Aleanca rikonfirmon pozitën e vet se integrimi evropian dhe integrimi në NATO nuk kanë alternativë për Kosovën, për popullin e Kosovës ashtu besojmë ne edhe që pesha jonë politike do të jetë e vendosur gjithmonë në atë drejtim. Ne besojmë që Kosova ka nevojë me ec më shpejt që nuk ka nevojë për bllokada të vazhdueshme për shkak se koston e kësaj situate politike jemi duke e paguar ne populli i Kosovës, askush tjetër”, u shpreh ai.

Përveç, Lidhje Demokratike të Kosovës dhe Aleancës, sot presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa takoi edhe sekretaren e  Përgjithshme të Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku e cila përmes një postimi në Facebook deklaroi se me zyrtarin e lartë evropian kanë diskutuar për sfidat që Kosova ka përpara si shtet, por edhe për potencialin dhe të ardhmen evropiane të saj.

“Në prag të zgjedhjeve të 7 qershorit, riafirmova bindjen time se Kosova duhet të vazhdojë rrugëtimin e saj me besim, stabilitet dhe partneritet të ngushtë me aleatët tanë evropianë. Vendi ynë e ka vendin në Evropë, jo vetëm gjeografikisht, por edhe politikisht, institucionalisht dhe në vlerat e përbashkëta që ndajmë”, u shpreh Çitaku.

Ndërsa, mëngjesin e sotëm presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa në takime të ndara takoi edhe ushtruesen e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiun dhe kryeministrin në detyrë, Albin Kurti.

Costa po qëndron për vizitë sot në Kosovë në kuadër të turneut të tij në vendet e Ballkanit Perëndimor, ku tashmë ka vizituar Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut dhe Bosnje e Hercegovinën./B.Ibishi/


/Kosovapress/
Lajmi i plotë ëshë në sistemin me parapagim. Abonohu për ti shfryëzuar shërbimet KosovaPress-it.
Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2026