Osmani në selinë e NATO-s: Kosova po përjeton ndërhyrje të vazhdueshme prej jashtë
Lexohet për: 2 min.
1 vit më parë
Linku u kopjua
Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka thënë se Kosova po përjeton ndërhyrje të huaja të paligjshme. Ajo ka theksuar se veriu do të vazhdojë të jetë pjesë integrale e Republikës së Kosovës.
Në selinë e aleancës ushtarake në Bruksel, pas takimit me Jens Stoltenberg, Osmani ka thënë se Kosova dhe NATO janë përjetësisht të lidhura.
“Kosova po përjeton ndërhyrje të vazhdueshme të huaja të paligjshme dhe pengim të vazhdueshëm të autoritetit legjitim dhe sovranitetit në veri të vendit tonë. Kjo në shumë raste ka çuar në agresion siç përcaktohet nga ligji dhe praktikat ndërkombëtare. Më lejoni të jem e qartë, veriu i Kosovës ishte dhe do të vazhdojë të jetë pjesë integrale e Republikës së Kosovës. Nuk do të lejojmë që veriu i Kosovës të bëhet fushëbetejë për arritjen e ambicieve hegjemoniste të autokratëve rajonalë. Në vend të kësaj, ne jemi të përkushtuar për integrimin e mëtejshëm të komuniteteve lokale, duke mbrojtur të drejtat e tyre të garantuara me kushtetutë”, ka thënë ajo.
Ajo ka dënuar sulmet e majit kandër ushtarëve të KFOR-it në veri të Kosovës.
Osmani ka thënë se duhet të marrin fund ndërhyrjet e serbëve sa i përket oficerëve të Policisë së Kosovës të cilët po detyrohen të japin dorëheqje.
Tutje, presidentja Osmani ka thënë Kosova asnjëherë nuk do të heq dorë nga rruga euroatlantike.