Presidentja Vjosa Osmani ka thënë se ballafaqimi me të kaluarën është parakusht për paqen afatgjatë. Në Forumin e Paqes në Paris, derisa ka folur për luftën në Ukrainë, Osmani ka thënë se nuk duhet barazuar palët kur dihet qartë kush është agresori dhe kush viktima. Ajo ka thënë se fuqia më e madhe e Kosovës qëndron të partneriteti.
Presidentja Osmani derisa ka folur për luftën në Ukrainë, ka përmendur edhe gjenocidin e Serbisë në Kosovë 23 vjet më parë.
“Mund të mësojmë nga rasti i Kosovës, nga shembulli i Kosovës që fuqia jonë më e madhe qëndron te partneriteti, multilaterizmi funksionon por vetëm nëse bazohet në parime, në rregulla, e me më rëndësi nëse bazohet në vlera. Duhet të bëhemi bashkë, të bëhemi bashkë për të mbrojtur vlerat, parimet që kanë qeniet njerëzore dhe humanitetin duke marrë parasysh, vlerat njerëzore ku ajo për të cilën kujdesemi është më së pari mbrojtja e civilëve, ndalimin e shkatërrimit, këto janë vlerat që na shtynë përpara. E njëjta gjë në vitet e ’90-a kur lufta e Kosovës ishte ndalur nga NATO, kur NATO kishte ndalur gjenocidin, ishte e suksesshme sepse partneriteti ynë, partneriteti i vendeve demokratike në botë ishte i bazuar mbi vlerat, vlerat e mbrojtjes së viktimës nga agresori”, ka thënë Osmani.
Në Forumin e Paqes në Paris, Osmani ka thënë se në rastin e luftës në Ukrainë, njësor si në luftërat në ish Jugosllavi, dihet kush është agresori dhe kush viktima.
Osmani ka thënë se ballafaqimi me të kaluarën është i domosdoshëm.
“Gjëja e tretë që kemi mësuar është se ajo që është e detyrueshme, obligative, parakusht për paqen afatgjatë është ballafaqimi me të kaluarën dhe pastaj drejtësia. Shumë njerëz flasin për përvojën midis Francës dhe Gjermanisë si mësim që duhet ta marrim, dhe pajtohem, por Gjermania ka bërë shumë në këtë drejtim, ka paguar një çmim të lartë për krimet që janë kryer gjatë Luftës së Dytë Botërore, dhe ende është duke paguar, asnjëherë Gjermania nuk i ka mohuar krimet e veta”, ka thënë Osmani./G. Kadrija