Dje në Vjenë, në konferencën "Kosova në BE" e organizuar nga Andreas Minnich, nënkryetar i Komisionit për Politikë të Jashtme në Parlamentin Austriak dhe Kryetar i Shoqatës së Miqësisë Austri-Kosovë, me rastin e shënimit të 27 vjetorit të intervenimit humanitar të NATO-s në Kosovë, Presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani iu nda çmimi "Dr. Erhard Busek".
Sipas njoftimit, ky çmim iu akordua Presidentes Osmani për lidership të jashtëzakonshëm dhe përkushtim të jashtëzakonshëm për lirinë, demokracinë dhe integrimin euroatlantik.
"Nuk ka grua në Evropë si ajo që lufton kaq shumë për pranimin e Kosovës në BE dhe që thekson atë që na bashkon. Ajo është një ndërtuese urash, që rrallë gjendet si e tillë, dhe ndërton ura jo vetëm brenda Evropës, por edhe përtej Atlantikut”, citohet Minnich nw komuniatwn e Zyrws sw Presidencws.
Ai tutje ka thënë se Presidentja Osmani është një ndërtuese e shkëlqyer urash transatlantike.Ndërkaq Presidentja Osmani nëpërmjet një video fjalimi falënderoi për çmimin duke e konsideruar atë si një vlerësim i veçantë.
“27-vjetori i ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë është një dëshmi e asaj që bëhet e mundur kur drejtësia gjen zërin e saj dhe kur bota zgjedh të qëndrojë në anën e duhur të historisë.” Tutje, Presidentja Osmani ka shprehur mirënjohjen e thellë për Austrinë duke e vlerësuar atë si një shtet mik të palëkundur e parimor. Me këtë rast, ajo ka falënderuar Parlamentin Austriak për organizimin e kësaj konference që nderon ndërhyrjen vendimtare të NATO-s 27 vjet më parë për të ndaluar gjenocidin kundër popullit të Kosovës.
Në këtë drejtim, Presidentja Osmani ka theksuar se rruga përpara është e qartë. “Kosova i përket Bashkimit Evropian dhe NATO-s, jo vetëm si objektiv politik, por si një vazhdimësi e vlerave që ne mishërojmë si vend: paqe, liri, drejtësi, sundim të ligjit dhe partneritet të qëndrueshëm me demokracitë në mbarë botën”, ka theksuar Presidentja Osmani.
Presidentja Osmani, po ashtu ka shprehur falënderimin e saj për komitetin e Çmimit “Dr. Erhard Busek”, për nderimin me këtë çmim.
Çmimi "Dr. Erhard Busek" është çmim i Shoqatës së Miqësisë Austri-Kosovë, i themeluar me rastin e 85-vjetorit të lindjes së ish zëvendës kryeministër dhe ministër i Arsimit në Austri, udhëheqës i Paktit të Stabilitetit për Evropën Juglindore, promovues i paqes dhe Evropës së bashkuar dhe përkrahës e mik i madh i Kosovës.