Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani është pritur sot në takim nga homologia e saj zvicerane Viola Amherd, në margjina të Samitit të Paqes për Ukrainën.
Osmani ka udhëtuar për në Zvicër ku do ta përfaqësojë Kosovën në samitin e nivelit të lartë të Paqes më 15-16 qershor në Bürgenstock afër Lucernit.
“Kosova është përherë mirënjohëse për mbështetjen e fortë të Zvicrës përgjatë çdo etape. Në prag të Samitit, ishte kënaqësi të diskutojmë për mundësitë e pafund të thellimit të bashkëpunimit, me ç’rast roli i mërgatës sonë në forcimin e partneritetit në mes të dy vendeve tona është i pazëvendësueshëm,” ka shkruar Osmani në Facebook.
Në samit marrin pjesë edhe presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, presidentja e Zvicrës, Viola Amherd, si dhe afër 100 liderë e përfaqësues të tjerë nga bota, ku do të diskutohet vazhdimi i mbështetjes dhe arritja e paqes në Ukrainë.