Presidentja Vjosa Osmani u takua sot me presidentin e Këshillit Evropian, Antonio Costa në kuadër të Konferencës së Sigurisë në Munih të Gjermanisë.
Osmani tha se Bashkimi Evropian duhet të largojë sanksionet e vendosura ndaj Kosovës pasi ato janë të padrejta.
“Populli ynë ka dëshmuar përkushtim të palëkundur ndaj vlerave evropiane dhe ka bërë hapa domethënës në rrugëtimin drejt integrimit. Është koha që BE-ja ta njohë dhe vlerësojë këtë progres, përfshirë duke larguar masat e padrejta dhe duke i hapur rrugë Kosovës drejt statusit të kandidatit”, shkroi ajo në Facebook.
BE-ja vendosi masa ndëshkuese ndaj Kosovës më 3 qershor 2023 për shkak të tensioneve në veri. Brukseli zyrtar ka pezulluar punën e organeve të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit.BE ka theksuar se këto masa janë të përkohshme dhe ato varen nga zhvillimet në terren dhe vendimeve për deeskalim. Kryeministri Albin Kurti ka theksuar se “nuk mund të ketë kompromise me kushtetutshmërinë e vendit”, duke iu referuar kërkesës për themelimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe.