Zgjedhjet parlamentare, ekspertët: Pa stabilitet politik nuk ka zhvillim ekonomik
Tema
Lexohet për: 3 min.
valutaa
2 ditë më parë
Linku u kopjua

Masat ndëshkuese të BE-së dhe ngrirja e fondeve investive nga mbështetja amerikane përmes USAID-it, po ndikojnë në zhvillimin ekonomik dhe imazhin e Kosovës. E sipas ekonomistëve të Kosovës, parakusht për qeverinë e re pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, për të pasur një ekonomi dinamike dhe të zhvilluar është stabiliteti politik e një nevojë urgjente e një qeverie gjithëpërfshirëse.

Eksperti i ekonomisë, Safet Gërxhaliu, ka thënë për KosovaPress se mungon një guxim politik për vendimmarrje në sektorin e ekonomisë, pasi që Kosova, ka një “litarë në fyt” dhe nuk ka zgjidhje të çështjes rreth Asociacionit.  

E sipas tij, një ndër sfidat më të mëdha është se në Kosovë luftohet më shumë për pushtet sesa për shtet.

“Duhet të kuptohet që Kosova, ka një litarë në fyt, që quhet zgjidhja e problemit rreth Asociacionit dhe në këtë drejtim, besoj që sot, çdo qeveri që do të krijohet, do ta ketë shumë të vështirë, të mendoj për aspektin ekonomik, në çoftë se nuk do të zgjidhen këto probleme. Po hymë në një vit kalendarik ku kemi sanksionet apo masat ndëshkuese të BE-së që janë goditje direkte për ekonominë e Kosovës dhe për imazhin e Kosovës në përgjithësi. Po ashtu kemi ngrirjen e fondeve investive nga mbështetja amerikane përmes USAID-it dhe kjo do të jetë me të vërtetë mjaft sfiduese sepse është një sasi bukur e madhe e parasë që ka qenë e destinuar për të mbështetur edhe sektorin publik edhe privat. Vet fakti që mungon një guxim politik për vendimmarrje të tillë është një ndër sfidat më të mëdha, sepse në Kosovë shumë më tepër luftohet për pushtet sesa për shtet”, ka thënë Gërxhaliu.

Eksperti tjetër i ekonomisë, Ismet Mulaj është shprehur se për t'u zhvilluar sektori i ekonomisë në Kosovë, duhet një qeveri stabile, sipas tij që organizon reforma strukturore në interes për bizneset e vendit.

Mulaj, veçon disa faktorë kryesorë si, furnizimi i rregullt me energji elektrike, imazhi ndërkombëtar dhe më e rëndësishmja sipas tij ligji për investime strategjike të reformohet, për shkak se, siç shprehet ai, dy variantet e kaluara nuk kanë arritur të tërheqin investitorë strategjik me interes.

Sipas analistëve ekonomik, Kosova duhet të përmirësoj marrëdhëniet me BE-në dhe SHBA-të, për të pasur një ekonomi më të zhvilluar.

Bashkimi Evropian kishte vendosur masa ekonomike ndaj Kosovës në qershor të vitit 2023 për shkak të tensioneve në veri. Derisa në fillim të muajit shkurt të këtij viti, vendimi i presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump për të ndaluar përkohësisht ndihmën e huaj për 90 ditë pritet të ndikojë edhe në projekte të financuara nga USAID në Kosovë.

https://kosovapress.com/beteja-e-programeve-ekonomike-sa-real-eshte-zbatimi-i-tyre

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2025