Osmani i reagon BE-së: Vuçiq s’ka çka pyetet kur hapen urat në Kosovë
Lexohet për: 2 min.
Vjosa Osmani
4 muaj më parë
Linku u kopjua

Presidentja Vjosa Osmani ka reaguar pas deklarimeve të Bashkimit Evropian për çështjen e hapjes së Urës së Ibrit, duke thënë se presidenti i Serbisë nuk mund të pyete për hapjen e urave për qarkullim në Kosovë.

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian Peter Stano deklaroi sot se hapja e urës mbi lumin Ibër është çështje që duhet shtjelluar në kuadër të dialogut me Serbinë.

“Ky është një detyrim i kahershëm për të dyja palët. Dhe çfarëdo hapash dhe veprimesh që do të ndërmerren që kanë ndikim në njërën ose tjetrën anë, duhet të zgjidhen, diskutohen dhe çohen përpara në kuadrin e dialogut të lehtësuar nga BE”, ka deklaruar ai.

BE: Hapja e urës mbi lumin Ibër, çështje e dialogut • KosovaPress

Në reagimin e saj, presidentja Osmani shprehet kundër BE-së ku sipas tyre kjo pikë duhet të jetë pjesë e dialogut.

”Reagim ndaj deklaratës së sotme të BE-së se çështja e hapjes së urës së Ibrit duhet të jetë temë e dialogut me Serbinë. Çështja e urës nuk duhet assesi të bëhet temë e dialogut me Serbinë. Një gjë e tillë do të ishte shkelje e rëndë e sovranitetit, integritetit territorial dhe e kushtetutshmërisë në vendin tonë. Vuçiq nuk ka çka pyetet se kur do të hapen urat për qarkullim në Republikën e Kosovës”, ka shkruar Osmani në Facebook.

Ajo ka thënë se dialogu i vetëm që duhet të bëhet, është ai brenda Kosovës, në mes të institucioneve tona dhe partnerëve tanë të sigurisë veçanërisht me NATO-n, në mënyrë që të ndërtohet plani i përbashkët i zbatimit për hapjen e urës për çdo qarkullim, që ka parasysh vlerësimet e sigurisë dhe interesat e qytetarëve tanë.

Ndryshe, revitalizimi i urës së Ibrit ishte paraparë në marrëveshjen për lirinë e lëvizjes, të arritur mes Kosovës dhe Serbisë më 2015 në Bruksel. Edhe pse 6 vjet më parë kanë përfunduar punimet me investime milionëshe të BE-së, ura vazhdon të jetë e mbyllur për veturat.

Hapja e urës së Ibrit pritet të trajtohet me seriozitet nga qeveria, opozita kërkon koordinim me aleatët • KosovaPress

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024