Bashkimi Evropian insiston se hapja e urës mbi lumin Ibër është çështje që duhet shtjelluar në kuadër të dialogut me Serbinë.
Sa i përket paralajmërimeve të zyrtarëve qeveritar të Kosovës se po punohet drejt hapjes së urës mbi lumin Ibër, zëdhënësi i Bashkimit Evropian Peter Stano, në një paraqitje për media ka theksuar se Brukseli asnjëherë nuk i komenton paralajmërimet e veprimeve.
Revitalizimi i urës së Ibrit ishte paraparë në marrëveshjen për lirinë e lëvizjes, të arritur mes Kosovës dhe Serbisë më 2015 në Bruksel. Edhe pse 6 vjet më parë kanë përfunduar punimet me investime milionëshe të BE-së, ura vazhdon të jetë e mbyllur për veturat.