Osmani e quan urgjente luftimin e lajmeve të rreme
Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit ka thënë se në kohen kur po kërcënohen paqja e stabiliteti në botë dhe rajon, beteja kundër lajmeve të rreme dhe dezinformatave është më se urgjente. Në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit, presidentja Osmani ka dalë në mbështetje të mediave për të raportuar pa frikë dhe censurë, si dhe për ta mbrojtur sigurinë e tyre kur ato raportojnë nga vende ku ka mungesë sigurie. “Siç u dëshmua edhe pas sulmit të agresionit të Serbisë më 24 shtator 2023 dhe ditët që pasuan, roli dhe raportimi i mediave ka qenë kyç në mënyrë që institucionet e Kosovës të mund ta dëshmojnë para botës të vërtetën rreth atij sulmi”, ka shkruar ajo në Facebook.
E para e vendit tonë ka kërkuar luftimin e lajmeve të rreme, pasi ato së të tilla minojnë demokracinë e paqen e në raste të caktuara edhe sigurinë e qytetarëve dhe sigurinë nacionale, ndaj nevoja për t`iu kundërvënë atyre është më e madhe se kurrë dhe në funksion të mbrojtjes së të vërtetës. “Këtë betejë duhet ta bëjmë bashkë, institucionet, gazetarët dhe shoqëria civile, ngase vetëm bashkërisht mund ta mirëmbajmë një ambient ku e vërteta mbizotëron ndaj lajmeve të rreme dhe ku media është e lirë ta përmbushë rolin e saj si mbrojtëse e demokracisë dhe e të drejtës së qytetarëve për të qenë të mirinformuar”, ka përfunduar Osmani.
Ndryshe, raporti i Reporterëve Pa kufij ka treguar regres sa i përket lirisë mediave në Kosovë në krahasim me vitin e kaluar duke shënuar rënie për 19 pozita, nga 56 në 75. Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, Këshilli i Mediave të Shkruara dhe Komisioni i Pavarur për Media kanë kërkuar veprime konkrete për përmirësimin e situatës, duke thënë se raporti i Reporterëve Pa Kufij duhet të jetë alarm për Qeverinë, pasi vetëm gjatë vitit 2023 janë shënuar rreth 30 sulme brenda pak javësh në veri. Kryeministri Albin Kurti ka shprehur gatishmërinë e qeverisë që ai drejton për adresimin e shqetësimeve të mediave.