Sot, në sallën “1 Tetori” në Prishtinë u hap edicioni i dytë i Panairit Ndërkombëtar të Turizmit - Kosova 2023 (KIFT), i cili do të zgjasë deri më 18 mars. Ky panair theks të veçantë ka promovimin e turizmit të Kosovës si dhe të krijojë lidhje më të forta bashkëpunimi me subjekte të ndryshme të turizmit në Ballkan, por edhe në Evropë.
Me rastin e hapjes së panairit, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani u shpreh se Kosova ka potencial turistik. Sipas saj, pozita gjeografike e Kosovës krijon një mundësi të jashtëzakonshme për turistët.“Shteti ynë dita ditës po konsolidohet në hartën globale me aktivitete kulturore të cilat i kanë kapërcyer kufijtë tanë...Por, ka ende shumë punë për të bërë në sferën e turizmit, në këtë rrafsh digjitalizimi i destinacioneve turistike, i cili është ndër synimet kryesore të institucioneve të Kosovës. Duhet të synojmë që Kosovën ta bëjmë pjesë të paketave turistike të Evropës dhe jo vetëm të Ballkanit”, tha Osmani.
Osmani përmendi edhe festivalet e ndryshme kulturore që organizohen në Kosovë, derisa tha se kanë shndërruar Kosovën në adresë të pakapërcyeshme e që e sipas saj, e kanë ndryshuar imazhin e Kosovës.
Ndërkaq, kryetari i kryeqytetit, Përparim Rama derisa shpreson që ky panair të shërbejë si mundësi që turistët të eksplorojnë më të mirën që ofron Kosova. Ai potencoi se panairi e vë Prishtinën në një kryeqytet të rëndësishëm të komunikimit botëror. Rama, derisa tha se fokusi primar i panairit është promovimi i turizmit të Kosovës, ai potencoi se Kosova është duke përparuar mjaft shumë në këtë drejtim.
Ndriçim Duka, operator nga disa hotele në Shqipëri tha se panairet e tilla duhet të organizohen më shpesh. Sipas tij, ato ndikojnë në zhvillimin e një shteti e po ashtu edhe në tërheqjen e turistëve të huaj.
Në edicionin e dytë të Panairit Ndërkombëtar të Turizmit - Kosova 2023 (KIFT) po marrin pjesë mbi 200 kompani të ndryshme të turizimit me mbi 10 shtete.