Osmani: Beteja e Koshares dëshmoi se sakrifica për liri është e lartë, por liria s’ka çmim
Lexohet për: 2 min.
1656584468
1 vit më parë
Linku u kopjua

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani përkujtoi sot përvjetorin e Betejës së Koshares, njërën ndër betejat më të lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Osmani, siç u bë e ditur në komunikatë, potencoi se Beteja e Koshares ka dëshmuar fuqishëm se sakrifica për liri është shumë e lartë, por liria nuk ka çmim.

 “Sot shënojmë përvjetorin e Betejës së Koshares, njërës ndër betejat më të lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Rënia heroike e komandantëve Salih Çekaj, Agim Ramadani,  Xhemajl Fetahaj, Abaz Thaçi dhe komandantëve e luftëtareve të tjerë, dëshmoi se Beteja e Koshares ruan vend nderi në kujtesën tonë kolektive. Përulemi para trimërisë dhe sakrificës së luftëtarëve të lirisë nga Poroji i Tetovës, Tirana e Tropoja, Tuzi e Presheva dhe vullnetarëve nga vende të tjera, të cilët iu bashkuan luftës së popullit të Kosovës për liri dhe dinjitet.”, u shpreh Osmani.

 Manifestimet "Ditët e Shqipes", që i kushtohen kësaj beteje të lavdishme, organizohen nën përkujdesin e Presidentes së Republikës së Kosovës.

 “I përjetshëm qoftë kujtimi dhe e pavdekshme lavdia për heronjtë e Koshares dhe luftën e popullit të Kosovës për liri”, shtoi tutje Osmani.

Beteja e Koshares, më 9 prill 1999, në kuadër të operacionit “Shigjeta”, ishte njëra ndër më të përgjakshmet dhe më heroiket e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Thyerja e kufirit në mes të Kosovës dhe Shqipërisë kishte shënuar jo vetëm një fitore morale për UÇK-në, por ajo i kishte hapur rrugë furnizimit me armatim dhe mbështetje logjistike për shumë zona të luftës në brendësi të Kosovës.

https://kosovapress.com/admin/24-vjet-nga-thyerja-e-kufirit-kosove-shqiperi/
Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2025