Osmani: Bandat kriminale të përkrahura nga Vuçiq kanë për qëllim eskalimim e situatës
Lexohet për: 6 min.
Vjossaaa
2 vite më parë
Linku u kopjua

Pas shpërthimeve në veri të Kosovës, presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka thënë se situata atje eskalon çdo herë për shkak të bandave kriminale të mbështetura nga presidenti serb, që sipas saj, kanë për qëllim destabilizimin e Kosovës.

Ajo ka folur pas samitit BE-Ballkani Perëndimor në Tiranë ku ka thënë se në ditët me vijim institucionet në Kosovë do të takohen për versionin e ri të planit franko-gjerman derisa ka shtuar se shumë shpejt mund të caktohet takimi i radhës në Bruksel në mënyrë që të diskutohet ky plan.

Presidentja e vendit pret një raport përfundimtar nga institucionet e vendit lidhur me ngjarjet e sotme në veri.

“Për fat të keq, sikurse edhe në shumë raste paraprake, situata në veri eskalon për një arsye te vetme, sepse bandat kriminale të përkrahura nga Vuçiq politikisht dhe financiarisht kanë për qëllim eskalimim e situatës, kanë për qëllim destabilizimin e Kosovës dhe rrjedhimisht kanë për qëllim ta destabilizojnë Ballkanin Perëndimor dhe të realizojnë kështu agjendat ruso-serbe. Ne duhet të bëjmë çmos që nëpërmjet institucioneve të sigurisë së Republikës së Kosovës të vendosim rend dhe ligj në çdo cep të vendit tonë, por edhe të mbrojmë jetën e secilit qytetar tonit pavarësisht çfarë etnie. Është shumë me rëndësi që siguria e qytetarëve të jetë mbi të gjitha në mënyrë që në çdo proces zgjedhor ata të mbrohen e mos të kërcënohen nga këto banda kriminale. Dhe tani po e presim në fund të ditës raportin përfundimtar. Gjatë ditës kemi marrë vazhdimisht raporte të shkurta nga të gjitha institucionet e sigurisë, sot në fund të ditës po e presim raportin përfundimtar jo vetëm rreth asaj që ka ngjarë, por mbi të gjitha për veprimet që duhet të ndërmerren tash e tutje për të eliminuar situata të tilla”, ka thënë ajo.

Lidhur me versionin e ri të planit franko-gjerman, i cili sot i është dorëzuar kryeministrit të Kosovës nga i dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Osmani ka thënë se për të njëjtin nuk është diskutuar në takimet gjatë samitit në Tiranë.

“Ai version është dorëzuar sot siç e ka thënë zoti Borrell, megjithatë nuk është diskutuar përmbajtja e versionit të ri, në takime është diskutuar parimi si i tillë, fakti që kjo është një iniciativë e përkrahur nga Franca, nga Gjermania dhe shumë shtete të Bashkimit dhe do të theksoja në veçanti e mbështetur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës si një nismë e re, e cila intensifikoi procesin e dialogun… Sapo të kthehemi do të kemi një takim tjetër ndërinstitucional për të koordinuar qëndrimet tona të përbashkëta sa i përket këtij versioni të ri, dhe në momentin që t’i kemi të gatshme natyrisht edhe do t’i ndajmë me ju, por mbi të gjitha do t’i ndajmë me palët qe e kanë bërë propozimin”, ka thënë presidentja Osmani.

Për më tepër, e para e vendit ka theksuar se nuk ka kushte të reja në procesin e dialogut.

“Nuk ka kushte shtesë, Bashkimi Evropian është i përkushtuar që të vazhdojë dialogu për të diskutuar lidhur me dokumentin e propozuar si kornizë që po quhet plani franko-gjermani. Edhe pse nuk ka datë të takimit të ardhshëm, besoj që shumë shpejt mund të caktohet një i tillë, në mënyrë që ky propozim i ri që u dorëzua këto dite të mund të diskutohet në Bruksel. Sa i përket Kosovës, jemi të gatshëm në çfarëdo kohe të përgjigjemi si pala më konstruktive në këtë proces”, ka thënë Osmani.

Në një konferencë për media pas samitit në Tiranë, Osmani ka thënë se Kosova i ka dhënë mbështetje deklaratës së përbashkët derisa ka treguar rezervat e shtetit në të.

“Ne i kemi dhënë mbështetje deklaratës me tri rezerva, të cilat janë instrument juridik për të treguar se ne kemi kuptim të caktuar të atyre paragrafëve, sa i përket paragrafit 9 e kemi bërë të qartë me shkrim, në dokumentin që i është dorëzuar edhe institucioneve të BE-së, por edhe shtetit mikpritës në këtë rast institucioneve të Shqipërisë, që për Kosovën dialogu Kosovë-Serbi nënkupton procesin e normalizimit të udhëhequr nga BE dhe mbështetur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës që duhet të përqendrohet në njohjen reciproke dhe në asnjë mënyrë nuk guxon të prekë integritetin territorial, sovranitetin e vendit, rregullimin kushtetues, si dhe karakterin unitar. Këto qëndrime të Republikës së Kosovës janë të vendosura me shkrim së bashku me dy çështje të tjera që i kemi ngritur, por në përgjithësi është një deklaratë jashtëzakonisht ambicioze krahasuar me çdo dokument tjetër që është miratuar nga ana e Bashkimit Evropian”, ka thënë Osmani.

Ndërsa lidhur me aplikimin për statusin e vendit kandidat, Osmani ka konfirmuar se do të dorëzojnë këtë muaj dhe ka shtuar se po punojnë me të gjitha shtetet për të marrë mbështetjen e tyre.

“Do të punojmë shumë me shtetet veç e veç, por ta kemi parasysh që duhet t’i menaxhojmë pritjet tona mos t’i rrisim jashtëzakonisht shumë, për shkak të situatës komplekse që ekziston brenda Bashkimit Evropian, por për shkak edhe të qëndrimeve që disa prej shteteve që i kanë, por me të cilat po punojmë shumë dhe për së afërmi dhe ka mesazhe inkurajuese, por nuk mund të flas në emër të tyre”, ka thënë Osmani.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024