Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) ka thënë të premten se rasti gjyqësor për spiunazh ndaj punonjës së saj, Jellena Gjukanoviq, “ka të bëjë me një individ”, por shtoi se e respekton vendimin e gjykatës në Prishtinë për dënimin e saj me gjashtë vjet burgim.
Më 27 prill, Gjykata Themelore e shpalli fajtore dhe e dënoi me gjashtë vjet burgim Gjukanoviqin për spiunazh kundër shtetit të Kosovës.
Gjukanoviq, nga Mitrovica e Veriut, ishte arrestuar në pikën kufitare të Jarinjës, në veri të Kosovës në shkurt të vitit 2025, dhe prej asaj kohe ndodhet në paraburgim.
Ajo e ka mohuar fajësinë, ndërsa prokurorët kërkonin dënim me 25 vjet burgim për të.Prokurori special, Bekim Kodraliu, tha gjatë gjykimit se Gjukanoviq kishte qenë në kontakt me dy zyrtarë të BIA-s: Ratko Gajtanoviq, përgjegjës i agjencisë në rajonin e Novi Pazarit, dhe Lubisha Bukviq, zyrtar tjetër i saj.
"Me këtë të fundit, e pandehura është takuar disa herë në zyrat e BIA-s në Beograd”, deklaroi ai.
Së voni, autoritetet në Kosovë kanë arrestuar disa persona, shqiptarë dhe serbë, nën dyshimet për spiunim në shërbim të inteligjencës serbe.