Shefi i ri Zyrës së BE-së në Kosovë, Aivo Orah, në samitin e Kosovës për Paqe dhe Demokraci ka lënë një mesazh për Kosovën e shtetet që nuk janë pjesë e Bashkimit Evropian, duke thënë se “detyrat e shtëpisë” të Qeverisë duhet të realizohen për të hyrë në BE.
Orav, është shprehur se Qeveritë duhet ta vërtetojnë se këto detyra janë për të mirën e shtetit e jo vetëm për tu bashkuar.
Sipas tij, nuk duhet të humben shpresat sepse askush nuk tregon data se kur do të ndodhë ky proces.
“Bashkimi Evropian po e konsideron sërish më seriozisht zgjerimin, pas gjithë atyre viteve. Para vitit 2022, vendet e Ballkanit Perëndimor dëgjuan shumë që vendi juaj është në Bashkimin Evropian, por nuk po ndodhte shumë sepse nga një raport progresi në tjetrin raport progresi. Ju nuk dëgjoni më nga Brukseli se nuk do të ketë zgjerim pesë vitet e ardhshme apo gjashtë vitet e ardhshme, në vend të kësaj, keni dëgjuar shumë shifra të ndryshme vjetore që ndoshta këtë vit duhet të ndodhë zgjerimi.”, ka thënë Orav.
“Momenti i së vërtetës vjen më 1 janar 2027, kur shohim nëse ka para në buxhetin e BE-së apo jo, sepse shumë shpejt do të fillojnë negociatat për buxhetin e ri të BE-së. Tani detyrat e shtëpisë, kjo është ajo që keni dëgjuar shumë gjithashtu. Detyrat e shtëpisë duhet të bëhen. Ky është mesazhi ynë për qeveritë, sepse është punë e vështirë të bëhen të gjitha ato reforma, sepse ato reforma nuk janë aspak popullore. Dhe qeveritë duhet të shpjegojnë se, jo, kjo nuk është për Bashkimin Evropian, por ne vetë besojmë se kjo është e mirë. Dhe roli i shoqërisë civile është jashtëzakonisht i rëndësishëm këtu, sepse ju duhet t'i shtyni qeveritë, duhet t'i udhëhiqni në drejtimin e duhur dhe kjo kritikë që po bëni është jashtëzakonisht e rëndësishme për qeveritë, për shoqëritë, dhe gjithashtu për ne”, ka shtuar ai.
Çelës për anëtarësimin sipas tij është edhe dialogu ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.
Ndërkaq, ky është edicioni i tretë i Samitit të Kosovës për Paqe dhe Demokraci, (KPDS) të titulluar: “Realitete radikale: Dinamika etno-politike dhe integrimi euro-atlantik i Ballkanit Perëndimor”. /A.Shala/