Opozita lëshon sallën, e quan të kontaminuar projektbuxhetin 2025
Partitë opozitare në Kuvendin e Kosovës, PDK, LDK dhe AAK kanë kontestuar procedurën e shqyrtimit në lexim të dytë të Projektligjit për buxhetin e vitit 2025.
Sipas tyre, ky projekt-buxhet duhet të kthehet prapa pasi është edhe anti-kushtetues.
Mirëpo këto pretendime i kanë mohuar nga partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, derisa kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca tha se në bazë të vendimmarrjes së seancës do të shqyrtohen të gjitha rrjedhojat nëse ka pasur shkelje procedurale.
Pas diskutimeve, partitë opozitare lëshuan sallën plenare.
Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri tha se projekt-buxheti i vitit 2025 është i kontaminuar. Ai përmendi edhe “skandalet” që sipas tij po ndodhin në Ministrinë e Bujqësisë, derisa nënvizoi edhe shmangien e procedurave për shqyrtimin në kohën e duhur të buxhetit në Kuvend.
Kritika adresoi edhe shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, i cili përmendi edhe shkeljet ligjore që sipas tij përmban Ligji për buxhetin. Ai tha se përmes një ligji që ka karakter vjetor nuk mund të ndryshohet Ligji për pagat e zyrtarëve publik dhe Ligji për tatimin në pronë.
Ndërkaq, shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri tha se proceudra sesi ka ardh buxheti i vitit 2025 në lexim të dytë në Kuvend do ta turpërojë përgjithmonë jetën parlamentare.
Ai tha se mazhoranca s’ka shqyrtuar as kërkesat e organizatave buxhetore si komunave të Rahovecit, Gjakovës dhe Deçanit.
Përgjigje ndaj këtyre pretendimeve dha kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, i cili tha se në bazë të vendimeve që merren në seancë do të trajtohen në kryesi nëse ka pasur shkelje procedurale.
Në debat u përfshi edhe deputeti i LVV-së, njëherësh kryetar i komisionit për buxhet, Armend Muja, i cili tha se të gjitha kërkesat e komunave janë shqyrtuar në komision, mirëpo që ato amendamente nuk kanë marrë mbështetje në komision dhe rrjedhimisht s’mund të procedohen në Kuvend.
Pas këtyre diskutimeve, deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës, Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës e lëshuan sallën plenare.
Lajmi i plotë në sistemin me parapagim...