Opozita kritikon mazhorancën për pagesat e serbëve nga shteti, ani pse nuk shkojnë në punë. Vetëm vitin e kaluar janë shpenzuar rreth 800 mijë euro për pagesat e 129 personave të këtij komuniteti. Kështu u tha gjatë shqyrtimit gati tri orësh të raportit vjetor të auditimit të buxhetit të Kosovës për vitin e kaluar nga Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike. Deputetë të opozitës kanë kritikuar pushtetin për pagesa të serbëve, të cilët janë pjesë e organizatave tashmë të shpallur terroriste nga qeveria. Ministri i Financave, Hekuran Murati u shpreh se ka edhe deputetë të cilët nuk shkojnë në punë dhe paguhen, për çka duhet të ndëshkohen.
Auditorja e përgjithshme e Zyrës Kombëtare të Auditimit, Vlora Spanca tha se ky raport ka opinion të kualifikuar, meqë vlera e gabimeve të identifikuara në pasqyra financiare ka qenë materiale.Në mbledhjen e sotme të këtij deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Rashit Qalaj kërkoi informacione, në qoftë se gjatë këtij viti janë ndërprerë këto pagesa.
Për këtë nuk ka qenë në dijeni, ministri i Financave, veçse ky i fundit ka kritikuar deputetët e opozitës për mosvijueshmëri në punë. Më pas ka reaguar deputetja e AAK-së, Albana Bytyqi, e cila tha se Murati po i krahason ata me serbët.
Zyra Kombëtare e Auditimit gjatë vitit 2022 nuk ka arritur që të kryejë auditimin e pasqyrave financiare për katër komunat në veri të vendit.
Auditorja e përgjithshme theksoi se borxhi shtetëror në fund të vitit të kaluar ka shënuar rritje për katër për qind.
Kryetarja e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike, Hykmete Bajrami u shpreh se për këtë ka ndikuar rritja e inflacionit në vend.
Në lidhje me këtë ka reaguar ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, i cili tha se inflacion më të lartë kanë pasur edhe në vendet tjera të rajonit, por që nuk ka reflektuar në të hyrat e tyre buxhetore.
Në raportin e Zyrës Kombëtare të Auditimit thuhet se nga raportet e publikuara të auditimeve të rregullsisë dhe performancës, kanë evidentuar 51 raste të dyshimta të cilat i kanë dërguar te Prokurori i Shtetit për analizë dhe hetime të mëtejme./Sh.Pajaziti/