Dy partitë opozitare në Kosovë, PDK dhe LDK dyshojnë se kryeministri Albin Kurti mund të imponojë apo negociojë diçka në udhërrëfyesin e zbatimit të planit të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi. Një ditë pas qëndrimit në Kosovë të emisarit të BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, ku takoi edhe krerët opozitarë, zyrtarë të lartë të këtyre partive thonë për KosovaPress se Kurti është pajtuar me çdo gjë në atë plan dhe mbetet vetëm çështje ditësh nënshkrimi i marrëveshjes, bashkë me aneksin e zbatimit. Sipas tyre, i vetmi negocim do të jetë data e themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.
Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, thotë për KosovaPress se kryeministrit Kurti i ka mbetur të shkojë vetëm në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes, pasi konsideron se ai është pajtuar me gjithçka çka ka ai plan, përfshirë edhe zbatimin e tij.

Më kritikues karshi kryeministrit Kurti është deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti.
Ai është pesimist se Kurti do të shtyjë përpara agjendën e tij sa i përket aneksit të planit të Bashkimit Evropian. Anëtari i Kryesisë së LDK-së, thotë se Kurti e ka degraduar dialogun dhe i vetmi negocim që do të bëhet do të jetë modaliteti për statusin e Kishës Ortodokse dhe vetëmenaxhimit të komunitetit serb në Kosovë, të përfshira në pikën shtatë të planit të BE-së.
Në anën tjetër, zyrtarë qeveritarë nuk kanë kthyer përgjigje në lidhje me negocimin për zbatimin e planit të BE-së për dialogun dhe mundësitë që ai të nënshkruhet më 18 mars në Maqedoninë e Veriut.

Kurse, njohësi i procesit të dialogut, profesori universitar në Britani të Madhe, Seb Bytyçi, thotë se Kosova e ka komoditetin që të negociojë më ashpër sa i përket aneksit të marrëveshjes me Serbinë.
Sipas tij, plani i BE-së për dialogun për Serbinë nuk ka kthim prapa dhe kjo i jep Kosovës më shumë hapësirë për negociata edhe rreth Asociacionit.
Gjatë kësaj jave në Kosovë qëndroi emisari i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak. Pas takimeve me krerët e shtetit, ai tha se janë përmbushur pritshmëritë e tij nga pala kosovare për zbatimin e planit të BE-së për dialogun.

Ai në fillim të javës së ardhshme do të qëndrojë edhe në Beograd për të parë perspektivën e tyre për planin e BE-së.
Më 18 mars në Maqedoninë e Veriut pritet të mbahet takimi i radhës i nivelit të lartë të dialogut, ku pritet të diskutohet plani i BE-së për dialogun dhe aneksi për zbatimin e tij.
4 Comments
Komentet janë të mbyllura.