Edhe pse ende mungon zyrtarizimi nga skuadra e Manchester United, Andre Onana e ka konfirmuar sot lëvizjen e tij te “Djajtë e Kuq”.
Manchester United dhe Interi kanë arritur marrëveshje për transferimin e portierit Andre Onana, ku tarifa e transferimit të tij do të jetë 51 milionë euro dhe katër milionë euro të tjera në formë të bonuseve, raporton KosovaPress.
Onana thotë se ai largohet nga Interi me një zemër të rëndë por se nuk mundi t’i rezistojë ofertës së United.
“Gjëja më e rëndësishme është të jesh i sinqertë dhe të ju tregosh njerëzve të vërtetën. Unë jam person që dëshiroj gjithmonë sfida të reja. Të luash në Premier Ligë dhe për një klub sikur Manchester United është tejet tërheqëse. Por ajo që ka rëndësi është se, edhe nëse do të kisha qëndruar, do të isha po aq i lumtur sepse nuk kam pasur kurrë probleme te Interi. Në të vërtetë, një magji lindi në Milano që është pothuajse e vështirë të shpjegohet”, tha Onana për “Gazzetta dello Sport”.
“Faleminderit është fjala që dua të përdor. E them të gjithë punëtorëve të Pinetinës dhe të kompanisë, drejtuesve, presidentit, trajnerit, shokëve. Por mbi të gjitha për fansat. Ndjeva se ata më donin vërtet. Kam luajtur në Milano për një vit, por do të jem një Interista përgjithmonë. Tani do të brohoras para televizorit. Uroj që Interi të fitojë Scudetton që nuk e fituam së bashku. E di sa shumë e duan të gjithë yllin e dytë, shpresoj se ka ardhur koha ta vendosin në gjoks”, tha Onana.
Onana tha se dëshiron që ta fitojë Ligën e Kampionëve me United, por shpreson që edhe Interi e fiton atë.
Onana do të bëhet transferimi i dytë i Ten Hag këtë verë, pas Mason Mount që la Chelsean për United. Gjithashtu, United është në bisedime për të transferuar sulmuesin e Atalantas, Rasmus Hojlund.