Njëri prej zyrtarëve më të lartë të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork u njoftua të martën se Gjykata Themelore në Mitrovicë ofron qasje të barabartë në drejtësi dhe shërbime pa diskriminim për të gjithë qytetarët e kësaj pjese të Kosovës, pa dallim etnie apo përkatësie komunitare.
Kjo u bë e ditur gjatë vizitës së Nënsekretarit të Përgjithshëm të OKB-së për Operacionet e Paqes, Jean-Pierre Lacroix, në Gjykatën Themelore në Mitrovicë, ku, siç u bë e ditur nga një kumtesë e kësaj të fundit, ai u informua për punën, funksionimin, sfidat dhe të arriturat e këtij institucioni, si dhe për përkushtimin e vazhdueshëm në garantimin e sundimit të ligjit dhe pavarësisë së gjyqësorit.
Lacroix po qëndron në Kosovë në kuadër të një vizite zyrtare dhe në Mitrovicë u shoqërua nga Përfaqësuesi Special i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së për Kosovë dhe njëherazi shefi i UNMIK-ut, Peter N. Due, si dhe bashkëpunëtorët e tyre.
Delegacioni u prit nga zëvendëskryesuesja e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Arjeta Sadiku, ushtruesi i detyrës së kryetarit të Gjykatës Themelore në Mitrovicë, Bekim Veliqi, dhe drejtori i përgjithshëm i Sekretariatit të KGJK-së, Shkelzen Maliqi.